Presidenti Begaj dekreton shkarkimin e Lamallarit dhe emërimin në krye të Ministrisë së Brendshme të Ervin Demos

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të enjte (17 shtator) shkarkimin e Besfort Lamallarit nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe emërimin e Ervin Demos në krye të këtij dikasteri.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot shkarkimin e z. Besfort Lamallari nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendshme. Po sot, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi emërimin e z. Ervin Demo në detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshm”, thuhet në njoftim.
Vendimi për largimin e Lamallarit nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendshme u njoftua disa ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama dhe vendosjen në krye të kësaj ministrie të Ervin Demos.
Kush është Ervin Demo:
Ervin Demo, i lindur në Berat, në vitin 1982, mori detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor në shtator të viti 2025.
Para këtij emërimi, Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit (2019–2025), ku u angazhua në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin dhe transformimin urban të qytetit, forcimin e transparencës, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje, si dhe zhvillimin e turizmit.
Më herët, gjatë 2017–2018, ai ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë. Që prej vitit 2004, ai është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Demo ka kryer studimet e larta në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




