Nis punën Task-Forca për reformimin e RTSH-së me mbështetjen e EBU-së
Ka nisur zyrtarisht zbatimi i procesit të transformimit dhe ristrukturimit të Radio Televizionit Shqiptar për periudhën 2026–2030.
Task-Forca e ngritur për të udhëhequr dhe koordinuar procesin e transformimit, ka zhvilluar sot mbledhjen e parë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në nisjen e fazës së zbatimit të Strategjisë së Transformimit 2026–2030.
Mbledhja e parë e Task-Forcës u zhvillua në formatin e një workshop-i të organizuar nga Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU), ku në fokus ishte strategjia e transformimit të RTSH-së dhe hapat konkretë për zbatimin e saj.
Në workshop morën pjesë znj.Radka Betcheva, Drejtuese e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe Natalia Beregoi, menaxhere e konsulencës për transformimin në EBU. Përfaqësueset e EBU-së ofruan ekspertizë, asistencë dhe mbështetje për RTSH-në gjatë procesit të transformimit.
“Ne EBU e ndihmuam RTSH-në me vlerësimin e gjendjes aktuale të medias publike në Shqipëri. Më pas, ndihmuam udhëheqjen të zhvillojë strategjinë e transformimit për pesë vitet e ardhshme. Sot u takuam për herë të parë për takimin e nisjes. Diskutuam se si mund të kontribuojmë, çfarë mund të bëjmë më mirë për RTSH-në dhe për shoqërinë, për të ndjekur planin e punës si dhe për të përcaktuar në strategji. Nuk do të jetë një proces i lehtë sepse përfshin të gjithë, çdo palë të interesuar, jo vetëm brenda struktures, por edhe jashtë saj. Shpresojmë ta realizojmë më shpejt se pesë vite, por sipas strategjisë. Grupi i punës do të luajë një rol mjaft të ndërlikuar dhe të vështirë, sepse ata duhet të jenë “ambasadorët e ndryshimit”. Duhet të jenë menaxherë të ndryshimit dhe të jenë shumë të motivuar për ta ndihmuar RTSH-në të ndryshojë e të transformohet. Gjithashtu, u nevojiten shumë aftësi, si dhe të mësojnë aftësi të reja gjatë kësaj periudhe ndryshimi”, tha Natalia Beregoi.
Task-Forca përbëhet nga 14 anëtarë, 11 përfaqësues të brendshëm të RTSH-së të fushave të ndryshme dhe 3 ekspertë të jashtëm, me përgjegjësi të përcaktuara sipas fushave përkatëse të ekspertizës.
Task-Forca do të jetë struktura përgjegjëse për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të Strategjisë së Transformimit 2026–2030.
Ndër detyrat kryesore të saj janë hartimi i planit të punës dhe kalendarit të zbatimit të strategjisë, koordinimi i procesit ndërmjet të gjitha strukturave të RTSH-së, monitorimi i realizimit të objektivave dhe afateve të përcaktuara.
Task-Forca do të identifikojë problematikat që mund të shfaqen gjatë procesit dhe do të propozojë masa korrigjuese. Gjithashtu, ajo do të analizojë kuadrin ligjor, nënligjor, statutor dhe rregullator, duke identifikuar aktet që kërkojnë ndryshime dhe duke koordinuar hartimin e dokumenteve, procedurave, projekt-rregulloreve dhe projekt-vendimeve të nevojshme.
Procesi do të shoqërohet me raportime periodike, ndërsa në përfundim do të hartohet raporti final mbi realizimin e procesit të transformimit.
Me ngritjen e Task-Forcës dhe zhvillimin e mbledhjes së parë me ekspertët e EBU-së, Strategjia e Transformimit 2026–2030 kalon në fazë zbatimi, me fokus të veçantë në ndjekjen e reformave në RTSH.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





