Vetëdorëzohet në Morinë ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni

Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, mësohet se është vetëdorëzuar këtë të martë pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës. Lajmi është bërë i ditur nga RTSH-24. Ndaj saj rëndonte masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e cila nuk ishte ekzekutuar më parë për shkak se zyrtarja ndodhej jashtë Shqipërisë.
Kthimi i saj dhe dorëzimi te autoritetet e pikës kufitare vjen pas vendimit nr. 67, datë 21.09.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila miratoi kërkesën e SPAK-ut për caktimin e masave “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, hetimet ndaj Hysenit po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Ajo dyshohet për kryerjen e dy veprave penale:
- “Përkrahja e autorit të krimit” (neni 320/2 i Kodit Penal);
- “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” (neni 295/a/1 i Kodit Penal).
Lidhur me masën e arrestit shtëpiak dhe pezullimin e saj nga detyra, më herët ka pasur edhe një reagim nga Kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku. Rama bëri të ditur lirimin e menjëhershëm të saj nga detyra, ndërsa theksoi se pafajësia apo fajësia e çdo zyrtari është një çështje individuale përballë drejtësisë, e cila duhet të hetojë e pavarur çdo rast.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



