Protestë në Shkup me moton “Jo në emrin tim”, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së në Hagë

Maqedonia e Veriut | 1 orë më parë

Sheshi “Skënderbeu” në Shkup u shndërrua sot në qendrën e një proteste gjithëqytetare në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Tubimi, i organizuar nën moton “Jo në emrin tim!”, erdhi si reagim i drejtpërdrejtë ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Hagës të datës 16 shtator, të cilat dhanë dënime me burgim të rëndë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Aktiviteti nisi me një minutë heshtje në nderim të të rënëve për lirinë e Kosovës, ndërsa mbledhja bëri bashkë familjarë të dëshmorëve, ish-të burgosur politikë, përfaqësues të rinisë studentore dhe qytetarë nga rajone të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i familjarëve të dëshmorëve, Arben Mustafa, e cilësoi vendimin e trupit gjykues në Hagë si një goditje ndaj të vërtetës historike të luftës çlirimtare.

“Jemi këtu për të ngritur zërin për ata që luftuan që Kosova sot të jetë shtet i pavarur. UÇK-ja luftoi për mbrojtjen e popullit shqiptar, luftoi kundër agresorit serb. Populli shqiptar në Kosovë ishte viktimë. Prandaj është e padrejtë që në këtë rast të dënohet viktima dhe të lihet nën hije agresori.”, tha Arben Mustafa, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve.

Në të njëjtën linjë, Teuta Ajeti Bekteshi, ish-e burgosur politike, e vendosi theksin te natyra e njëanshme e procesit gjyqësor, duke e quajtur absurd pretendimin se dënimi po jepet në emër të viktimave apo sovranit.

“Është hipokrizi dënimi i çlirimtarëve në emër të popullit të Kosovës. Cili popull dënon fëmijët e tij, aq më pak populli shqiptar.”, theksoi Teuta Ajeti Bekteshi, ish-e burgosur politike.

Përfaqësuesi i studentëve, Jon Selimi, nënvizoi se sakrifica kombëtare nuk mund të zhbëhet nga asnjë instancë gjyqësore, duke bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-udhëheqësve ushtarakë e politikë.

Këshilli organizativ i protestës bëri të ditur se tubimi i Shkupit është vetëm hapi i parë i një reagimi më të gjerë që do të përfshijë të gjitha qendrat kryesore me popullsi shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Ne si shqiptarë të Maqedoninë së Veriut kemi protestuar çdo ditë në Kosovë, morëm vendim që të protestojmë në Maqedoni, e nisëm nga Shkupi dhe do vazhdojmë në të gjitha qytetet. Partitë politike të na bashkohen, këtu nuk ka të bëjë politika por këtu ka të bëjë kombi.”, tha Fexhri Asipi, anëtar i këshillit organizativ.

Vendimi i Dhomave të Specializuara

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Hagës shpallën fajtorë ish-drejtuesit e UÇK-së, duke dhënë dënime të rënda për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Vendimi ka nxitur reagime të forta publike dhe protesta masive në të gjitha trevat shqipfolëse.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme