Zelensky: Mbi 8 mijë trupa të Koresë së Veriut ndodhen në Rusi, po përgatitet dërgimi i 10 mijë të tjerëve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se më shumë se 8,000 trupa të Koresë së Veriut ndodhen aktualisht në territorin rus, ndërsa sipas tij po zhvillohen përgatitje për vendosjen e edhe 10,000 ushtarëve të tjerë.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Zelensky tha se informacionet e fundit tregojnë se Pheniani po vazhdon të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Moskën, duke dërguar personel shtesë për trajnim dhe dislokim të mëvonshëm në Rusi.
Presidenti ukrainas iu referua “të dhënave të reja” mbi praninë e forcave koreano-veriore, duke theksuar se trupat “po zgjidhen për trajnim dhe më pas për vendosje në Rusi”.
Kjo nuk është hera e parë që Kievi paralajmëron për një rritje të përfshirjes së Koresë së Veriut në mbështetje të Rusisë.
Në muajin gusht, Zelensky deklaroi se numri i ushtarëve koreano-veriorë që mund të angazhohen përkrah forcave ruse mund të arrijë deri në 50,000.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Koresë së Jugut që të shtojë mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore. Seuli njoftoi në korrik një paketë ndihme prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, por përjashtoi dërgimin e armëve vdekjeprurëse.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas njoftoi publikisht se dy ushtarët e kapur ishin transferuar në Korenë e Jugut.
Megjithatë, autoritetet në Seul shprehën keqardhje për këtë njoftim, duke argumentuar se ekzistonte një marrëveshje mes palëve që transferimi të mbahej konfidencial.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





