Përplasja e madhe në Senat, ish-prokurori special, Jack Smith, mbron hetimet ndaj Trump dhe hedh poshtë akuzat politike

Në një seancë dëgjimore përpara Komitetit Gjyqësor të Senatit, ish-këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, u është kundërpërgjigjur akuzave dhe kërcënimeve për ndjekje penale nga administrata Trump. Ai ka deklaruar hapur se nuk do të frikësohet dhe se beson thellësisht se sundimi i ligjit po kërcënohet si kurrë më parë.
Smith mbrojti me vendosmëri çështjet penale që ngriti kundër Donald Trump, duke theksuar se puna e tij dhe e ekipit të tij është udhëhequr ekskluzivisht nga ligji dhe provat, pa lejuar që faktorët politikë të ndikonin në vendimmarrje.
“Unë i mora ato vendime pa marrë parasysh lidhjet politike, aktivitetet, bindjet apo kandidaturën e Presidentit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Hetimi ynë dha prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Presidenti Trump është përfshirë në krime të rënda kundër kombit tonë.”, tha ai.
Përplasjet politike dhe akuzat
Nga ana e tyre, ligjvënësit republikanë e kanë kritikuar ashpër punën e prokurorit special, duke e cilësuar hetimin e tij si një sulm të motivuar politikisht dhe një tejkalim të kompetencave të Departamentit të Drejtësisë.
Senatori republikan Chuck Grassley, kryetari i komisionit, e vuri theksin te mbledhja e të dhënave dhe komunikimeve gjatë hetimeve, duke sugjeruar se veprimet e prokurorisë synonin goditjen e aparatit politik republikan.
Në krahun e kundërt, demokratët të udhëhequr nga senatori Dick Durbin i Illinois dolën në mbrojtje të punës së Smith, duke i quajtur akuzat e republikanëve si teori konspirative që synojnë të zbardhin ngjarjet e rënda të 6 janarit 2021 dhe sjelljen e paligjshme të ish-presidentit.
“Shpifjet e hedhura ndaj z. Smith, pa pushim, janë të vogla, personale dhe politike. Ato nuk janë gjë tjetër veçse një perde tymi për të shkëputur vëmendjen nga sjellja e qartë dhe e paligjshme e vetë presidentit.”, tha Dick Durbin.
Debati rreth të dhënave telefonike dhe thirrjeve në gjyq
Një ndër pikat më të nxehta të seancës ishte çështja e marrjes së të dhënave telefonike dhe regjistrimeve gjatë hetimeve për përpjekjet e përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020. Ndërsa ligjvënësit republikanë, përfshirë përfaqësuesin Jim Jordan, kanë kërkuar hetime të mëtejshme penale ndaj vetë Smithit me pretendimin se ai ka dhënë dëshmi të rreme rreth këtij procesi, avokatët dhe vetë ish-prokurori i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Smith ka argumentuar se përdorimi i thirrjeve në gjyq për të siguruar të dhëna taksash dhe regjistrime komunikimi pa përmbajtje tekstuale përbën një praktikë standarde dhe të domosdoshme për të kuptuar shkallën e plotë të komplotit.
“Zyra ime nuk spiunoi askënd. Nuk do të hesht nga kërcënimet e vazhdueshme për ndjekje penale nga presidenti apo të tjerët.”, tha Smith.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




