FMN vlerëson investimet publike/Malaj, kemi shënuar progres, por reformat do të vijojnë
Shqipëria ka shënuar progres në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike. Ky është një nga konstatimet e evidentuara sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, gjatë takimit me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Është një progres të cilin e ka konstatuar Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij më të fundit, ku vlerëson përmirësimin e dukshëm dhe të ndjeshëm për sa i përket mënyrës se si Shqipëria planifikon dhe menaxhon investimet publike”, u shpreh Malaj.
Malaj tha se vlerësimi evidenton përmirësime në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve, disiplinën buxhetore, alokimin e fondeve, si dhe transparencën dhe konkurrueshmërinë në prokurimet publike.
“Rezultatet më të fundit nga vlerësimi i FMN-së tregojnë se Shqipëria po performon në linjë me vendet e Bashkimit Europian, por edhe me ekonomitë e zhvilluara në mbarë botën. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, kur investojmë në rrugë, në spitale, në shkolla, nuk mjafton vetëm të kemi paratë në buxhet, por duhet të sigurohemi që këto para përdoren me transparencë dhe në mënyrë konkurruese”, tha ai.
Sipas Malajt, Ministria e Financave do të vijojë reformat për të forcuar mekanizmat që garantojnë përdorim më eficient të fondeve publike dhe më shumë vlerë për qytetarët.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





