Incident në avionin drejt Izraelit, bashkë piloti qëllon kapitenin me thikë, rrezikohet rrëzimi
Bashkë piloti i një avioni të nisur nga Dubai me destinacion Tel Avivin besohet të ketë goditur me thikë kapitenin, një ngjarje kjo që ministri izraelit i sigurisë kombëtare Itamar Ben Gvir e cilësoi sulm terrorist të mbetur në tentativë dhe që çoi në uljen emergjente të mjetit në Arabin saudite.
Sipas zyrtarëve të tjerë izraelitë anëtarë të tjerë të ekuipazhit kishin hyrë në kabinë dhe kishin marrë kontrollin e fluturimit FZ1073 Flydubai që doli nga trajektorja e përcaktuar ndërsa po fluturonte në hapësirën ajrore të Jordanisë.
Për autorin e sulmit, zyrtarët izraelitë thanë se ishte shtetas i Omanit. Raportohet se avioni kishte transmetuar sinjale të emergjencës pasi pilotët u përfshinë në një përleshje fizike me njëri tjetrin. Të dhënat nga mjeti nisën të tregonin se në vetëm 30 sekonda kishte humbur të paktën 4,270 metra lartësi para se të transmetonte sinjalin e parë të emergjencës.
Më pas avioni u ul në aeroportin Tabuk të Arabisë saudite, dy pilotët u dërguan për trajtim mjekësor në spital, një prej tyre në gjendje të rëndë ndërsa tjetri me plagë të lehta, ndërsa pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Një prej tyre Miriam Shira Ohayon u shpreh për gazetarët se mjeti kishte dalë jashtë kontrollit kur një prej pilotëve ishte përpjekur të qëllonte me thikë tjetrin.
Bashkë piloti u përpoq të vriste pilotin dhe ndërmerrte një sulm vetëvrasës. Avioni për pak sa nuk u përplas dhe ishte thjesht falë ndërhyrjes së shumë personave që morën kontrollin dhe neutralizuan bashkë pilotin. Në avion pati edhe një doktor që dha ndihmën e parë dhe të dy pilotët u trajtuan. Përveç tyre nuk pati lëndime të tjera, por frika më e madhe që përjetuam ishte përplasja, çka po përpiqej të bënte bashkë piloti, u shpreh ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




