Dyshime për akt terrorist në avion, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur hetimet

Prokuroria e Përgjithshme në Emiratet e Bashkuara Arabe tha të enjten se kishte nisur një hetim për incidentin në bordin e fluturimit të FlyDubai. Kryeprokurori tha se pistë kryesore e hetimit ështe një motiv i mundshëm terrorist. Një ditë më parë piloti i një avioni të nisur nga Dubai për në Tel Aviv u arrestua pasi goditi me thikë bashkëpilotin në kabinën e avionit gjatë një përpjekjeje të dyshuar për të rrëzuar mjetin ajror.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë juridiksion për të hetuar incidentin, sepse avioni është i regjistruar në atë vend dhe ligji i shtetit arab zbatohet për krimet e kryera në bordin e aeroplanëve të saj edhe kur ata ndodhin jashtë territorit të tij.
Prokurori i përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që të mos paragjykohen rezultatet e hetimit dhe çdo informacion duhet të mbështetet vetëm në të dhënat e lëshuara nga burimet zyrtare. Piloti i goditur me thikë, i identifikuar si Kapiten Smit Machchhar, me shtetësi indiane ndodhet në spital dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.
Ai u cilësua një hero i vërtetë nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe kryeministri indian Narendra Modi. “Piloti arriti të parandalonte një katastrofë të ngjashme me 11 shtatorin”, tha Netanjahu për CNN, ndërsa Izraeli e ka cilësuar incidentin një sulm terrorist të mbetur në tentativë, ndonëse ende nuk është konfirmuar asnjë motiv zyrtar.
Sulmuesi nuk është identifikuar , por një zyrtar izraelit tha se ai është shtetas i Omanit. Pas ngjarjes, ku për neutralizimin e autorit u përfshinë edhe pasagjerë, avioni u devijua për në Arabinë Saudite dhe të 150 pasagjerët në avion u kthyen në Izrael.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





