Berisha prezanton platformën e ‘Ripërtëritjes’ në Korçë: Dyfishim pagash, pensionesh dhe taksa të ulëta

Politikë | 2 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë fjalës së tij të mbajtur në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Korçë, akuzoi qeverinë për shpopullimin e vendit, varfërinë dhe vështirësitë ekonomike. Ai deklaroi se Edi Rama është ‘njeriu më i urryer i kombit në histori’. Berisha tha se opozita i ka kapërcyer betejat e saj dhe tashmë duhet të fokusohet te problemet e qytetarëve dhe përballja me qeverinë.

‘Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë, kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë’, deklaroi ai. Sipas Berishës, largimi i shqiptarëve nga vendi ka marrë përmasa dramatike. Në fjalën e tij, kreu i PD-së bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve të Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Devollit, duke e lidhur këtë me atë që ai e cilësoi si ‘shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim’., tha Berisha.

‘Çmimet në Strasburg ishin baras ose dy herë më të ulëta se këtu, ndërsa rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës në Korçë, duke u ndalur te rritja e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët.  Berisha tha se, ndërsa familjet shqiptare e kanë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme, sipas tij, qeveritarët vijojnë të bëjnë shpenzime luksoze.  Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se prenoton hotele me çmime që arrijnë në 15 mijë euro nata dhe e përdori këtë si shembull të kontrastit që, sipas tij, ekziston mes standardit të jetesës së qytetarëve dhe atij të drejtuesve të vendit.

‘Ripërtëritja e PD-së ka vetëm një qëllim të vetëm: të ripërtërijë Shqipërinë në të gjitha aspektet’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në Korçë. Berisha prezantoi disa prej objektivave që, sipas tij, opozita synon të zbatojë në rast se merr drejtimin e vendit, duke përmendur dyfishimin e pagave dhe pensioneve, minimumin jetik dhe rimbursimin e ilaçeve.

‘Ne kërkojmë të na votoni për ato që do bëjmë’, u shpreh Berisha, duke theksuar se fokusi i PD-së duhet të jetë te përmirësimi i kushteve të jetesës dhe rikthimi i asaj që ai e cilësoi si ‘dinjitetin’ e qytetarëve. Kryetari i PD-së tha gjithashtu se partia e tij do të ndjekë një politikë të taksave të ulëta dhe të lirisë ekonomike. ‘Në filozofinë tonë, paratë janë më të vlefshme në xhepin tënd, o biznesmen, se në arkën time’, deklaroi Berisha.

‘Shqipëria e ripërtërirë kërkon një PD të ripërtërirë. Dhe vetëm një forcë vitale, funksionale, që afron rreth vetes vlerat më të mira, do të mund të jetë parti e shpresës, parti e fitores, parti e të ardhmes’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në Korçë. Berisha u ndal te problemet e fermerëve shqiptarë, duke akuzuar qeverinë se nuk u ka krijuar kushte të barabarta konkurrence me fermerët e vendeve të rajonit. Ai solli si shembull subvencionet dhe situatën e blegtorëve, duke pretenduar se importet kanë dëmtuar prodhuesit vendas. Në vijim, kryetari i PD-së tha se ripërtëritja e opozitës duhet të shoqërohet me afrimin e të rinjve, grave dhe figurave që, sipas tij, përfaqësojnë vlerat më të mira të shoqërisë.

‘Asnjë njeri nuk ka pse të na votojë ne për ato që kemi bërë. Të gjithë do të na vlerësojnë ne me ripërtëritjen që do t’u paraqesim atyre’, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme