Deklarata e Bekim Sejdiut për Infokus: Nuk jam më pjesë e procesit për zgjedhjen e presidentit

Kosovë | 1 orë më parë

Pavarësisht se emri i profesor Bekim Sejdiut u përmend sërish gjatë deklaratave publike nga kryeministri Albin Kurti për arritjen e një marrëveshjeje politike, Sejdiu ka konfirmuar se nuk është më pjesë e procesit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së edhe kryeministrin Kurti se unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke qenë se marrëveshja LDK-LVV ka dështuar,”, ka deklaruar Sejdiu për Infokus.

Duke sqaruar rrethanat e hyrjes së tij në garë që nga fillimi i muajit shtator, Sejdiu theksoi se angazhimi i tij bazohej në një formulë konkrete bashkëpunimi mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ku LDK-ja do të shërbejë si propozuese dhe LVV-ja si mbështetëse.

“Kam marrë këtë barrë të rëndë në një moment kaq të rëndë, me motivin e vetëm që të ndihmoj Kosovën të dalë nga ky ngërç vetshkatërrues. Liderët politikë mund të përmendin emrin tim dhe unë u jam mirënjohës për besimin që kanë ndaj meje,”, u shpreh ai lidhur me motivimin fillestar.

Konfirmimi i përfundimtar i vendimit

Lidhur me qëndrimin e tij aktual, Sejdiu bëri të ditur se vendimi për t’u tërhequr u është komunikuar drejtpërdrejt të gjitha palëve të përfshira, duke e bërë të qartë se procesi i mëtejshëm nuk e përfshin kandidaturën e tij.

“E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, sidomos duke e pasur parasysh se unë jam propozuar nga LDK, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës,”, përfundoi Sejdiu.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme