Cilësia e materialeve në tregun e ndërtimit, projektligji i ri parashikon gjoba të rënda deri në 2% të xhiros vjetore, sanksione edhe për tregtinë online

Projektligji i ri “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit”, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të përafruar legjislacionin shqiptar me Rregulloren e re të BE-së (CPR 2024), vendos për herë të parë një regjim tërësisht të ri dhe mjaft të rreptë sanksionesh administrative.
Ndryshe nga kuadri i vjetër ligjor, skema e re e gjobave është ndërtuar mbi bazën e nivelit të rrezikut, rëndësisë së shkeljes dhe madhësisë ekonomike të operatorit. Objektivi kryesor është goditja e drejtpërdrejtë e falsifikimeve, mungesës së dokumentacionit teknik dhe tregtimit të materialeve të pasigurta të ndërtimit.
Katër nivelet e gjobave për operatorët ekonomikë
Shkeljet e kryera nga prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe përfaqësuesit e autorizuar janë kategorizuar në katër shkallë rëndësie (shumë të rënda, të rënda, mesatare dhe të lehta), me masa financiare progresive.
Për shkeljet e lehta masa e gjobës parashikohet 50,000 lekë. Kjo ka të bëjë me mospërputhjet me ndikim të ulët, si mungesa e elementeve bazë të gjurmueshmërisë apo vonesat në përditësimin e të dhënave jo-kritike.
Shkeljet mesatare parashikojnë një gjobë deri në 100,000 lekë. Kjo masë gjobe aplikohet për parregullsi në etiketim, informacionin shoqërues apo udhëzimet e përdorimit.
Ndërsa shkeljet e rënda që gjobiten 150,000 lekë, prekin mosbashkëpunimin me trupat e mbikëqyrjes apo mos përmbushjen e detyrimeve administrative të garantimit të cilësisë. Ndërsa gjobat 2% e xhiros vjetore, e cila konsiderohet shkelje e rëndë, aplikohen për shkeljet më serioze që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë publike. Kjo masë prek rastet e vendosjes në treg të produkteve pa Deklaratë Performance/Konformiteti, pa dokumentacion teknik, me markim CE të falsifikuar ose të vendosur në mënyrë të paligjshme.
“Ligji përcakton se për këtë kategori të rëndë, gjoba llogaritet si 2% e xhiros vjetore të kompanisë, por me një dysheme minimale prej 200,000 lekësh nëse përqindja rezulton më e ulët.”, thuhet në projektligj.
Sanksione edhe për tregtinë online dhe organet e certifikimit
Për herë të parë, regjimi i sanksioneve shtrihet edhe te platformat e tregtimit online, ofruesit e shërbimeve të dërgesave (logjistikës) dhe shitjet në distancë. Nëse këto platforma lejojnë tregtimin e materialeve pa dokumentacionin e kërkuar, ato do të përballen me gjoba dhe urdhra për heqjen e menjëhershme të përmbajtjes nga rrjeti.
Nga ana tjetër, presioni i kontrollit rritet edhe mbi vetë Organet e Miratuara (laboratorët dhe trupat certifikues). Për shkelje të procedurave të vlerësimit apo konflikt interesi, gjobat për to janë caktuar në tre nivele:
- 80,000 lekë
- 150,000 lekë
- 300,000 lekë
Përveç gjobave financiare, këtyre organeve mund t’u pezullohet ose t’u hiqet tërësisht miratimi ligjor për të ushtruar veprimtarinë.
Rritje e gjobës me 50% për shkelësit e përsëritur dhe masat shtesë
Për të shmangur praktikat e përsëritura të abuzimit, projektligji parashikon se nëse i njëjti operator kryen të njëjtën shkelje brenda dy viteve, masa e gjobës financiare rritet automatikisht me 50%.
Përveç penaliteteve financiare, trupat inspektuese (IQMT dhe ISHTI) kanë të drejtë të zbatojnë masa administrative bllokuese, si:
- Tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu ose kthimin mbrapsht te prodhuesi;
- Pezullimin e përkohshëm të aktivitetit tregtar;
- Shkatërrimin e produkteve ose bërjen e tyre jofunksionale kur ato paraqesin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





