Nobeli në Kimi 2026 shkon për dy shkencëtarë, zgjidhën misterin e molekulave “pasqyrë”

Botë | 59 minuta më parë

Shkencëtarët Henri B. Kagan dhe Kenso Soai janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Kimi për vitin 2026, për kërkimet e tyre që ndihmuan në shpjegimin e një prej mistereve më të vjetra të kimisë, mënyrën se si molekulat mund të marrin spontanisht një orientim të vetëm, të njohur si homokiralitet.

Çmimi u shpall nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave. Sipas Komitetit Nobel për Kimi, puna e dy shkencëtarëve ka kontribuar në kuptimin e proceseve kimike që lidhen me krijimin e molekulave “imazh pasqyrë”, struktura që janë të ngjashme me njëra-tjetrën, por nuk mund të mbivendosen.

“Henri Kagan dhe Kenso Soai kanë ofruar një zgjidhje për një mister kimik që është mbi një shekull i vjetër: si homokiraliteti mund të shfaqet spontanisht”, tha Heiner Linke, kryetar i Komitetit Nobel për Kimi.

Zbulimet e tyre kanë rëndësi të veçantë për kiminë organike dhe industrinë farmaceutike, pasi orientimi i një molekule mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si ajo ndërvepron me organizmin.

Sipas Komitetit Nobel, kërkimet e tyre kanë qenë të rëndësishme për kimistët që projektojnë reaksione për prodhimin e barnave.

Fituesit e Nobelit në Kimi për vitin 2026 do të ndajnë mes tyre një çmim prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme