Prapaskenat e mbijetesës së Republikës Islamike, privilegjet, monitorimi absolut dhe makineria e operacioneve të fshehta të sigurisë

Përgjatë më shumë se katër dekadave, Republika Islamike e Iranit i ka bërë ballë luftërave, sanksioneve ekonomike dhe valëve të përsëritura të protestave popullore. Një hetim i kryer nga njësia hetimore e Deutsche Welle (DW) dhe shërbimi i saj në gjuhën perse sjell dëshmi ekskluzive nga dy dezertorë të rangut të lartë të aparatit të sigurisë, duke zbuluar mënyrën se si funksionon struktura që mban regjimin në pushtet.
Përmes një korrespondence disa-mujore të verifikuar me dokumente, foto dhe dëshmi ekspertësh, investigimi analizon strategjinë e dyfishtë të Teheranit: indoktrinimin dhe kontrollin e rreptë të forcave të veta, si dhe përdorimin e forcës ushtarake kundër opozitës.
“Ata formësojnë mendjet e kadetëve të rinj. Ata krijojnë një sistem që jo vetëm që shtyp opozitën, por është ndërtuar për të parandaluar që njerëzit e vet të zgjedhin ndonjëherë të rezistojnë.”, thotë një nga dezertorët.
Indoktrinimi, privilegjet dhe izolimi i forcave elitare
Dëshmitë e dezertorit të koduar me emrin “Omid”, ish-komandant i forcave speciale, dhe “Reza”, ish-zyrtar i inteligjencës, tregojnë se rekrutimi fillon që në moshë të re. Anëtarët e strukturave elitare i nënshtrohen një monitorimi të vazhdueshëm fetar dhe ushtarak.
Për t’u siguruar besnikëri absolute ndaj Liderit Suprem, regjimi u ofron këtyre oficerëve privilegje të veçanta ekonomike, përfshirë komplekse banimi të izoluara, spitale dhe shkolla të dedikuara. Sidoqoftë, ky status shoqërohet me mbikëqyrje rigoroze të jetës personale.
“Ata ju konfiskojnë pasaportën; ata madje vendosin se cilat shkolla lejohen të ndjekin fëmijët tuaj. Kontroll, asgjë tjetër përveç kontrollit.”, thonë ata.
Sipas ekspertëve të sigurisë, izolimi i agjentëve nga popullsia civile redukton gjasat e hezitimit gjatë ndërhyrjeve me forcë kundër protestave publike.
Qendrat e mbikëqyrjes dhe struktura “Dakhme”
Hetimi zbardh gjithashtu ekzistencën e qendrave sekrete të komandës në Teheran, ku përmes kamerave CCTV, dronëve dhe monitorimit të rrjeteve sociale, agjencitë e sigurisë drejtojnë shtypjen e protestave në kohë reale. Gjatë trazirave, në terren dërgohen njësi elitare të pajisura me armatim të nivelit ushtarak.
Përveç shtypjes së demonstratave brenda vendit, Omid përshkroi funksionimin e një strukture klandestine të njohur si Dakhme (kripta), e vendosur në periferi të Teheranit. Nën maskën e ceremonive fetare, oficerë të rangut të lartë dyshohet se planifikojnë operacione të fshehta, rrëmbime dhe vrasje të kundërshtarëve të regjimit.
“Nëse e konsiderojnë dikë si kërcënim për udhëheqësin suprem të Republikës Islamike, e marrin jashtëzakonisht seriozisht dhe ndërmarrin veprime.”, sqaron Omid.
Ndërsa zyra e Liderit Suprem nuk iu përgjigj kërkesave për koment dhe Ambasada e Iranit në Berlin i hodhi poshtë përfundimet e raportit, dëshmitë e dezertorëve ndriçojnë arkitekturën e brendshme të një aparati sigurie që vazhdon të mbrojë strukturën e pushtetit në Iran.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







