Sfidat e përkthimit, ruajtja e shpirtit të veprës letrare, më shumë se kalimi nga një gjuhë në tjetrën
Përkthimi i një vepre letrare është një proces që kërkon njohje të thellë të gjuhëve, kulturë të gjerë dhe ndjeshmëri artistike. Përtej përkthimit të fjalëve, përkthyesi ka përgjegjësinë të përcjellë sa më besnikërisht mesazhin, stilin dhe emocionet që autori ka synuar të transmetojë. Përpara se të nisë punën, përkthyesi duhet ta njohë mirë veprën, kontekstin historik e kulturor dhe veçoritë e gjuhës së autorit.
“Ka dy mendime në këtë pikë, do të thosha. Një mendim është pikërisht ai i përkthimit duke i qëndruar besnik origjinalit, por që të jemi realistë nuk mund të qëndrosh besnik deri në fund, sepse ndodh që shprehje të ndryshme në një gjuhë të mos vijnë me të njëjtat fjalë në gjuhën shqipe. Kështu që kjo është një radhët e bukur në këtë rast dhe nuk ka ndonjë gjë që të tingëllojë në gjuhën tonë. Dhe momenti i dytë është kur mundet ta rishkruash poezinë, ta ripërkthesh, domethënë ta rishkruash në gjuhën, në gjuhën shqipe. Kjo i jep vlerë akoma më shumë, jo vetëm përkthyesit, por dhe veprës dhe kemi rastet e shumë poetëve të huaj të cilët janë rishkruar në gjuhën shqipe dhe them se është një arritje e madhe dhe Dritëro Agolli ka qenë një nga këta mjeshtrat e rishkrimit të poezive.”, komenton Arjan Kallço, përkthyes.
Për përkthyesin Arjan Kallço, një tjetër sfidë është ruajtja e ekuilibrit mes besnikërisë ndaj origjinalit dhe rrjedhshmërisë së gjuhës pritëse. Përkthimi cilësor kërkon gjithashtu kërkim, durim dhe rishikim të vazhdueshëm, në mënyrë që teksti të jetë sa më i saktë dhe i natyrshëm.
“Në variantin e dytë domethënë është akoma më e bukur sepse e ke rishkruar në gjuhën shqipe. Tingëllon akoma më bukur. Mund të ketë humbur disa gjëra nga origjinali, por them se tingëllon më bukur. Është një tingull kaq i bukur i gjuhës shqipe sa që mrekullohesh thuash si ka mundësi që kjo poezi të ketë ardhur kaq e bukur në gjuhën shqipe duke ndryshuar normalisht edhe fjalët dhe strukturat e fjalive.”, thotë Kallço.
Përkthyesi nuk përkthen vetëm një tekst, por ndërton një urë mes gjuhëve, kulturave dhe mënyrave të ndryshme të të kuptuarit të botës.
Gazetare: G. Manushi/ Operator: M. Beko/ Montazhi: M. Biba
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




