Ferati-Hoxha, në fokus Korridori VIII dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh

Rajon | 1 orë më parë

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive i Maqedonisë së Veriut, Agon Ferati, zhvilloi një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në godinën e MPJ-së në Tiranë.

Në takim u diskutua për avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe përmirësimin e ndërlidhjes infrastrukturore si faktorë të zhvillimit ekonomik dhe afrimit të qytetarëve.

Ministri Ferati prezantoi përpjekjet e ministrisë për krijimin e një klime të re midis komuniteteve etnike dhe luftimin e stereotipave që dëmtojnë marrëdhëniet mes tyre.

Sipas njoftimit për shtyp nga institucioni i vendit fqinj, Ministri Hoxha shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe theksoi nevojën për koordinimin e përpjekjeve për Korridorin e Tetë, pjesa rrugore e të cilit në Shqipëri pritet të përfundojë në vitin 2029, ndërsa ajo hekurudhore në vitin 2032. Lehtësimet shtesë kufitare u vlerësuan si të rëndësishme për forcimin e lidhjeve dhe mirëqenies së qytetarëve.

Të dy ministrat theksuan rëndësinë e partneritetit në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, përmes iniciativave konkrete që lehtësojnë lëvizjen dhe krijojnë mundësi të reja për zhvillim e prosperitet të përbashkët.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë aleatë në familjen euroatlantike dhe ndajnë synimin e përbashkët për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Përshpejtimi i këtij procesi pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në rritjen e mirëqenies sociale.

Vëmendje e veçantë iu kushtua kohezionit social. Ministri Ferati theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit përmes organizatave të shoqërisë civile në të dy vendet, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në përfundim, të dy ministrat riafirmuan vullnetin për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri dhe për ta shndërruar bashkëpunimin në rezultate konkrete për qytetarët e të dy vendeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme