Ish-kryeministri italian Letta: Ballkani duhet të hyjë në tregun e BE-së para anëtarësimit

Rajon | 38 minuta më parë

Në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Think Tank-ëve 2026, të mbajtur në Prishtinë, ish-kryeministri italian dhe autori i raportit “Një Europë, Një Treg”, Enrico Letta, bëri thirrje për një qasje të re të Bashkimit Europian ndaj zgjerimit, duke vendosur theksin te zbatimi konkret i reformave dhe integrimi gradual i vendeve kandidate në tregun e përbashkët europian.

Në fjalën e tij, Letta deklaroi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar, ku qytetarët kërkojnë rezultate të prekshme dhe jo vetëm premtime politike.

Enrico Letta u shpreh se “Kur pashë titullin e këtij eventi, ‘Prova, jo premtime’, kuptova menjëherë se ky është titulli që duhet vendosur mbi derën e çdo institucioni europian. Nëse dështojmë të lidhim zbatimin me atë që bëjmë në nivel europian, do të humbasim ëndrrën europiane. Sot pyetja që bëhet në të gjithë Europën është e njëjta: a është Europa në gjendje të zbatojë?”

Sipas tij, sfida më e madhe me të cilën përballet Bashkimi Europian nuk është mungesa e planeve apo strategjive, por aftësia për t’i kthyer ato në rezultate konkrete për qytetarët.

Duke folur për konkurrueshmërinë ekonomike të BE-së, Letta paralajmëroi se fragmentimi i tregut europian po dobëson pozitën e kontinentit përballë fuqive të mëdha ekonomike globale.

“Europa përfaqëson një nga ekonomitë më të mëdha në botë, por vazhdon të jetë e fragmentuar. Në financa, teknologji dhe investime po paguajmë koston e këtij fragmentimi. Në botën e Kinës, Indisë, BRICS-it dhe financave amerikane, jemi të gjithë vende të vogla, përfshirë ata që nuk e kanë kuptuar ende këtë. Rruga e vetme drejt sigurisë ekonomike, financiare dhe teknologjike është integrimi,” tha ai.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua planit të miratuar nga Këshilli Europian në prill të vitit 2026, “Një Europë, Një Treg”, i cili përmban 42 masa për thellimin e integrimit ekonomik, financiar dhe energjetik të Bashkimit Europian.

Letta theksoi se Bashkimi i Kursimeve dhe Investimeve, krijimi i një kornize të përbashkët rregullatore për bizneset dhe ndërtimi i një rrjeti të integruar energjetik janë mes reformave që do të përcaktojnë të ardhmen e BE-së.

Ai prezantoi gjithashtu konceptin e “lirisë së pestë”, që synon lëvizjen e lirë të njohurive, kërkimit shkencor dhe aftësive profesionale në të gjithë kontinentin.

“Katër liritë themelore të tregut të përbashkët u ndërtuan për ekonominë industriale. Ekonomia moderne bazohet te njohuria. Europa ka potencial të madh kërkimor, por ai mbetet i fragmentuar dhe po humbet talente drejt Shteteve të Bashkuara. Liria e pestë është përgjigjja ndaj kësaj sfide,” deklaroi Letta.

Duke ndalur te procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, ai argumentoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbetet një proces teknik i kufizuar në negociata dhe kapituj, por duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët që para anëtarësimit formal.

“Nëse zgjerimi perceptohet vetëm si një dialog mes qeverive dhe Brukselit, atëherë humbet kuptimi i Europës. Tregu i përbashkët duhet të bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve në vendet kandidate përpara anëtarësimit. Kështu thyhet cikli i premtimeve pa prova,” u shpreh ai.

Letta pranoi gjithashtu se zgjerimi i mëparshëm i Bashkimit Europian kishte një mangësi të rëndësishme: mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm mes vetë vendeve kandidate.

“Gabimi që bëmë ishte se çdo marrëdhënie e ndërtuam mes një vendi kandidat dhe Brukselit. Nuk i inkurajuam mjaftueshëm vendet kandidate të ndërtonin marrëdhënie dhe tregje funksionale me njëri-tjetrin. Nëse duam të jemi me Brukselin, por nuk na pëlqen vendi fqinj, atëherë kjo është e kundërta e mënyrës si funksionon Europa,” tha ai.

Në mbyllje të fjalës, Letta bëri thirrje për një angazhim më të madh të shoqërisë civile, universiteteve dhe instituteve kërkimore në shtytjen përpara të reformave europiane, duke theksuar se projekti europian mbetet një nga historitë më të suksesshme të transformimit të kufijve nga zona konflikti në hapësira bashkëpunimi.

“Europa ka treguar se kufijtë mund të shndërrohen nga vende përçarjeje në hapësira bashkëpunimi. Kjo është arritja e saj më e madhe. Prova, jo premtime. Këtë mesazh do ta çoj me vete në Bruksel dhe shpresoj ta çoni edhe ju,” përfundoi Enrico Letta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme