FIFA U-15 World Cup&Festival 2026/ Shqipëria mund 5-0 Vanuatu, 4 fitore radhazi për kuqezinjtë

Kombëtarja shqiptare U-15 ka regjistruar fitoren e katërt radhazi në FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, që po zhvillohet në Azerbajxhan. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama triumfuan me rezultatin e pastër 5-0 ndaj Vanuatus, duke vijuar me rezultate pozitive në këtë turne ndërkombëtar.
Shqipëria e zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të me Kledi Didën, ndërsa pesë minuta më vonë Santiago Perkola dyfishoi avantazhin. Dida ishte sërish protagonist në pjesën e mbetur të takimit, duke shënuar dy gola të tjerë në minutat 25 dhe 30, për të kompletuar tregolëshin e tij personal.
Golin e pestë dhe të fundit për kuqezinjtë e realizoi Elio Mera në minutën e 39-të, duke vulosur fitoren 5-0 të Shqipërisë U-15. Ky është suksesi i katërt radhazi për kuqezinjtë në këtë aktivitet, pas fitoreve ndaj Ishujve Turks dhe Kaikos (6-2), Mauritanisë (4-1) dhe Ruandës (4-0).
Shqipëria U-15 do të luajë ndeshjen e fundit të fazës së parë të turneut ndaj Bregut të Fildishtë, sot, në orën 17:00.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




