Presidentja e Kosovës kërkon hetim urgjent për vrasjen në Pejë dhe trajtimin institucional të kërkesave të viktimës

Kosovë | 1 orë më parë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës. Ajo ka kërkuar të hetohet edhe mënyra se si institucionet i kishin trajtuar kërkesat e viktimës për mbrojtje.

Duke u shprehur e tronditur nga vrasja, presidentja ka bërë thirrje që organet kompetente ta trajtojnë rastin me përparësi.
“Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte”, ka shkruan Shiroka Pula.

Shiroka-Pula ka theksuar se duhet të sqarohet nëse ishin ndërmarrë të gjitha masat për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e viktimës.

Sipas saj, çdo sinjal rreziku, kërkesë për ndihmë dhe ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, ka theksuar presidentja.

Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri. Gjithashtu, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe të afërmve të saj.

“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, ka përfunduar Shiroka-Pula. Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dieles në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati.
Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Në letrën që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej dhe kishte shprehur shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të merrej një jetë njerëzore.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme