Përplasje për memorandumin turko-libian/ BE: Marrëveshja është e pavlefshme! Erdogan: Kundërshtimet, pa bazë ligjore

Botë | 1 orë më parë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kundërshtuar reagimet e Bashkimit Evropian ndaj memorandumit turko-libian për përcaktimin e zonave detare në Mesdheun Lindor, duke i cilësuar ato si të pabazuara ligjërisht. Nga ana tjetër, Greqia, Qiproja dhe katër vende të tjera, së bashku me BE-në, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku e konsiderojnë memorandumin të pavlefshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Erdogan deklaroi se Turqia synon të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj detare, pa dëmtuar vendet e tjera të rajonit.

“Ne jemi të interesuar vetëm të mbrojmë juridiksionin tonë detar, të drejtat dhe interesat tona”, u shpreh presidenti turk.

Ai bëri thirrje për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut me të gjitha shtetet bregdetare dhe kërkoi që Bashkimi Evropian të mbajë një qëndrim konstruktiv.

Erdogan theksoi gjithashtu se politika e jashtme e Ankarasë udhëhiqet nga interesat kombëtare dhe se Turqia nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj në Mesdheun Lindor.

“Presim respekt për vullnetin e përbashkët të vendit tonë dhe Libisë”, deklaroi ai, duke iu drejtuar vendeve që, sipas tij, synojnë të përjashtojnë Turqinë nga rajoni.

Në një reagim të përbashkët në Kombet e Bashkuara, Greqia, Qiproja, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Bashkimi Evropian kundërshtuan memorandumin turko-libian.

Deklarata erdhi pas vendimit të Dhomës së Përfaqësuesve të Libisë për ratifikimin e marrëveshjes, e cila përcakton zonat e juridiksionit detar ndërmjet Turqisë dhe Libisë në Mesdhe.

Palët shprehën shqetësimin se kjo marrëveshje mund të cenojë stabilitetin rajonal dhe të drejtat e shteteve të tjera bregdetare.

“Ky memorandum mbetet i pavlefshëm dhe i papërfillshëm”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se marrëveshja nuk mund të shërbejë si bazë ligjore për ndarjen e zonave detare apo të prodhojë efekte juridike ndaj shteteve të treta.

Sipas deklaratës, përcaktimi i zonave detare duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme