Vuçiç humb zgjedhjet, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës: Qeveria e re serbe mund të mos ndryshojë kursin ndaj Prishtinës, dialogu jo prioritet

Politikë | 1 orë më parë

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka komentuar zhvillimet humbjen e Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet në Serbi si dhe ndikimin që mund të ketë formimi i qeverisë së re në marrëdhëniet me Kosovën.

Në një lidhje Skype në emisionin “3D nga Alban Dudushi”, Selimi u shpreh se pavarësisht ndryshimeve të mundshme në përbërjen e institucioneve serbe, nuk pritet të ketë një ndryshim të madh në qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës.

Selimi tha se ende nuk është e qartë se kush do të drejtojë qeverinë e ardhshme, ndërsa, sipas burimeve që ai përmendi, në kabinet mund të përfshihen teknokratë, ekspertë të politikës së jashtme dhe figura më të pranueshme për Perëndimin. Ndërkohë, kandidati për president mund të vijë nga spektri nacionalist.

“Zgjedhjet në Serbi nuk kanë qenë në fokusin e Kosovës, por dihet se Lista Studentore ka një përfshirje të gjerë në përpjekjet për të mundur Vuçiçin. Nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh në çështjen e rëndësishme të marrëdhënieve me Kosovën. Përbërja e qeverisë mbetet ende e paqartë dhe, deri më tani, nuk dihet se kush do të emërohet kryeministër.

Sipas burimeve, kandidati për president pritet të vijë nga spektri nacionalist, ndërsa në qeveri mund të përfshihen teknokratë, ekspertë të politikës së jashtme dhe figura më të pranueshme për Perëndimin. Në fokus pritet të jetë edhe zbërthimi i rrjeteve kriminale”, tha ai.

Një nga çështjet që pritet të vërë në provë raportet me Kosovën është ajo e Milan Radoiçiçit dhe përgjegjësisë së tij lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, mbetet për t’u parë se si do të ndikojë përbërja e re politike në Serbi në raportet me Prishtinën. Ai vlerësoi se dialogu me Kosovën nuk duket të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme, ndërsa zhvillimet politike në Serbi do të përcaktojnë edhe dinamikën e qeverisjes.

“Test për Kosovën do të jetë çështja e Milan Radoiçiçit, lidhur me sulmin në Banjskë. Vuçiç është shndërruar në një figurë të urryer për Kosovën, ndërsa për Perëndimin ka qenë një figurë e pranueshme.

Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë te Kosova qeveria e re që do të formohet. Dialogu me Kosovën nuk duket se është ndër prioritetet e saj.

Aktualisht, në Serbi kemi një parti opozitare, atë të Vuçiçit, dhe një bashkim partish që synojnë të vijnë në qeveri. Do të shohim se si do të ndikojë kjo situatë në qeverisjen e vendit’, tha Selimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme