Mentor Beqaj: Ndryshimi në Serbi nuk sjell ndryshim të qëndrimeve ndaj Kosovës

Rajon | 1 orë më parë

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Beqaj, ka vlerësuar se suksesi i Listës së Studentëve në Serbi përbën një rast të jashtëzakonshëm studimor nga këndvështrimi i shkencave politike, por ka theksuar se kjo nuk nënkupton një ndryshim të rëndësishëm të politikave serbe ndaj Kosovës apo rajonit.

I ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, Beqaj u shpreh se lëvizja studentore serbe ka arritur të transformohet me sukses nga një mobilizim social në një forcë politike të organizuar, duke sfiduar një regjim të konsoliduar që kontrollonte burime të shumta politike dhe institucionale.

Megjithatë, sipas tij, zhvillimet në Serbi duhen parë nga këndvështrime të ndryshme, pasi ndryshimet e brendshme politike nuk reflektohen domosdoshmërisht në qasjen ndaj Kosovës.

“Nga pikëpamja e shkencave politike, është një organizim spektakolar mënyra se si një lëvizje që vjen nga mobilizimi social transformohet në një lëvizje politike dhe arrin të rrëzojë një regjim politik të konsoliduar, i cili kontrollonte të gjitha resurset dhe i përdorte ato për rezultat politik. Është një organizim i jashtëzakonshëm i Listës Studentore”, tha Beqaj.

Ai vlerësoi gjithashtu modelin e organizimit të kësaj lëvizjeje, duke theksuar rolin e plenumeve universitare në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Forma e organizimit të kësaj lëvizjeje, me pleniumet universitare që kanë votuar për listën prej 250 vetash, është një rast shumë interesant për t’u studiuar”, u shpreh ai.

Megjithatë, Beqaj nënvizoi se nga perspektiva shqiptare, rezultati i zgjedhjeve në Serbi nuk duhet të shihet si një ndryshim i madh politik në raport me Kosovën.

“Varet nga cili këndvështrim do t’i shikojmë zhvillimet në Serbi. Nëse i shikojmë nga perspektiva e një shqiptari, do të kuptojmë se disa serbë kanë fituar mbi disa serbë të tjerë. Kjo nuk përbën ndonjë ndryshim të madh qoftë në raport me Kosovën, qoftë me rajonin apo me botëkuptimin që ata kanë për politikën e jashtme në tërësi”, deklaroi Beqaj.

Sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe programi politik i Listës së Studentëve nuk paraqet dallime thelbësore nga ai i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Po të lexosh programin e tyre, ai është pothuajse identik me atë të Vuçiçit dhe nuk është se ka ndonjë ndryshim substancial”, përfundoi Beqaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme