Karakaçi: Zgjatet edhe me 5 vite marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit Shqipëri-Itali

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë me dije se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit është zgjatur edhe për pesë vite të tjera. Sipas ministrit, zgjatja e marrëveshjes përbën një lehtësi për qytetarët e të dy vendeve, duke u mundësuar atyre të vijojnë procedurat e konvertimit të lejeve të drejtimit sipas rregullave në fuqi.
Ky zhvillim lidhet gjithashtu me besueshmërinë e sistemit shqiptar të lejeve të drejtimit dhe standardet që zbaton Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) në procesin e pajisjes së qytetarëve me leje drejtimi, në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane. Zgjatja e marrëveshjes pritet të lehtësojë procedurat për mijëra qytetarë që lëvizin dhe jetojnë mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ruajtur mundësinë e njohjes dhe konvertimit të lejeve të drejtimit mes dy vendeve.
“Lajm i mirë për qytetarët shqiptarë në Itali dhe qytetarët italianë në Shqipëri! Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë është zgjatur edhe për 5 vite të tjera, duke garantuar vijimësinë e procedurave të konvertimit të lejeve të drejtimit për qytetarët e të dy vendeve. Ky vendim konfirmon edhe një herë besueshmërinë e sistemit shqiptar të lejeve të drejtimit dhe standardet e larta që zbaton DPSHTRR në pajisjen e qytetarëve me leje drejtimi, në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane të cilësisë. Përfitim për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri. Shërbim me standarde dhe cilësi të garantuar. Leje drejtimi të besueshme dhe të njohura ndërkombëtarisht”, njoftoi Karakaçi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




