Protesta e 24 tetorit në Tiranë, gjykata liron 10 të arrestuarit

Aktualitet | 51 minuta më parë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të 10 personave të ndaluar pas protestës së 24 tetorit, por ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Vendimi është marrë më 27 tetor 2026, pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë së Tiranës për vleftësimin e arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurimit personal.

Sipas vendimit të gjykatës, të dhjetë personat do të paraqiten pranë policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës të hënën e parë të çdo muaji, në orare të përcaktuara për secilin prej tyre.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve, nëse nuk mbahen për ndonjë çështje tjetër penale.

Personat nën hetim dyshohen për vepra të ndryshme penale, mes të cilave “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Për disa prej tyre, akuzat përfshijnë edhe “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”, “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”, si dhe “Shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”. Të dyshuarit janë arrestuar më 24 tetor 2026, në orare të ndryshme, ndërsa çështja do të vijojë të trajtohet nga organet e drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme