BE propozon reformimin e Frontex-it, rritje e kapaciteteve operative dhe fokus te kthimi i emigrantëve

Komisioni Evropian ka paraqitur një propozim gjithëpërfshirës për reformimin e agjencisë së kontrollit të kufijve të jashtëm, Frontex, duke synuar konsolidimin e saj si “krahun kryesor operativ” të politikës së kthimit të emigrantëve brenda Bashkimit Evropian. Nisma strukturore parashikon një zgjerim të ndjeshëm të burimeve njerëzore, fuqizim të mekanizmave të reagimit emergjent dhe vendosjen e teknologjive të reja për monitorimin e rreziqeve kufitare.
Sipas propozimit, një nga shtyllat kryesore është rritja e trupave operative deri në 30,000 oficerë në kuadër të Korpusit të Përhershëm. Kjo strukturë parashikohet të përfshijë një Rezervë të re Evropiane për Kufirin dhe Kthimin, ku vëmendje e veçantë i kushtohet menaxhimit të procedurave të largimit.
Për këtë të fundit, “Komisioni parashikon edhe 17,000 oficerë shtesë, të cilët do të mbeten në dispozicion të Shteteve Anëtare dhe mund të vendosen kur të jetë e nevojshme”, me synim mbështetjen e drejtpërdrejtë të autoriteteve kombëtare.
Reforma adreson gjithashtu nevojën për reagim të shpejtë ndaj krizave të papritura kufitare, mësime këto të nxjerra nga ngjarjet e fundit dinamike në terren, përfshirë ato në Ceuta. Plani përfshin krijimin e një force ndërhyrëse me gatishmëri të lartë, e cila do të mobilizohet me njoftim të shkurtër në kufijtë e jashtëm.
Marrja e vendimit për këtë operacion parashikohet të realizohet drejtpërdrejt “nga Drejtori Ekzekutiv i Frontex, pas një kërkese nga një Shtet Anëtar që përballet me një situatë emergjente”.
Në dimensionin e inteligjencës dhe mbledhjes së të dhënave, nisma propozon rritjen e kapaciteteve për të “identifikuar herët trendet e rrezikshme dhe për të reaguar shpejt në raste emergjence ose krizash”.
Për të arritur këtë objektiv, parashikohet ngritja e një strukture speciale digjitale me “një mandat të qartë për Frontex-in për të monitoruar përmbajtjen e mediave sociale të aksesueshme publikisht, për të identifikuar zhvillimet relevante për menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe për të mbështetur veprimet kundër përmbajtjes së paligjshme online”.
Paralelisht me monitorimin digjital, iniciativa synon të rrisë nivelin e koordinimit ndërmjet vendeve anëtare përmes shkëmbimit me intensitet të lartë të informacionit.
Kuadri i ri normativ parashikon vendosjen e detyrimit ligjor për shtetet anëtare që të raportojnë brenda 24 orëve çdo incident ose zhvillim me ndikim në sigurinë kufitare të BE-së, duke shfrytëzuar infrastrukturën e komunikimit të rrjetit Eurosur dhe Qendrën e re të Koordinimit të Kthimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




