Vrasja e Arlinda Zekajt, Kurti kërkon raport për përgjegjësitë institucionale: Rasti rëndohet më shumë kur ka pasur dështim të zinxhirit të drejtësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të përgatisin një raport të detajuar për veprimet dhe lëshimet e mundshme institucionale që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti theksoi se rasti është veçanërisht shqetësues, pasi viktima kishte dhënë paralajmërime për situatën e saj, por sipas tij, institucionet nuk kishin reaguar në mënyrën e duhur.
“Drejtësia është garancia që i forti nuk do ta cenojë të dobëtin vetëm pse ata janë të tillë. Por në Kosovën tonë, dhe ndoshta jo vetëm në Kosovë, drejtësia fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi, drejtësia shpesh ka dalë në krahun e të fortit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë disi e shtrembër”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se vrasja e Arlinda Zekajt nxjerr në pah probleme serioze në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe në mekanizmat që duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve.
“Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë”, u shpreh Kurti.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për rastin dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua në Deçan mbrëmjen e 27 tetorit, pas dy ditësh në kërkim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




