Protestat e dhunshme, Rama: Turmë agresive, do t’i imponohet qytetit. Populli flet vetë me votën e tij

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat e dhunshme që vijojnë prej më shumë se dy javësh në Tiranë, duke i cilësuar si një përpjekje të një turme agresive për t’i imponuar shoqërisë një realitet në kundërshtim me normat e bashkëjetesës qytetare.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Rama u ndal te dëmtimet e shkaktuara gjatë protestës, përfshirë thyerjen e xhamave të Ministrisë së Arsimit dhe të bizneseve pranë saj, si dhe te shqetësimet që, sipas tij, janë shkaktuar për qytetarët nga protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Tiranë.

“E kam pyetur veten a është e mundur të pranohet si normalitet agresioni i një turme e cila kërkon të na imponohet të gjithëve jo thjesht duke thyer xhamat e Ministrisë së arsimit dhe dyqaneve pranë saj, por duke thyer çdo normë të bashkëjetesës së njerëzve në qytet. Duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre për shkak të një turme agresive ndaj normalitet të Tiranës. A mund të na imponohet të gjithëve një turmë, e cila pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë, duke shqetësuar njerëzit e ulur nëpër kafe, në dyqane apo restorante, apo duke bullizuar dhe godituri drejtues automjetesh në rrugën e tyre, shpërthen në një furi dhune me gurë dhe zjarr kundër institucioneve. Kush janë ata dhe në emër të kujt duan t’i imponojnë shoqërisë sonë shembullin e forcës së verbër të antiligjit dhe antinjerzllëkut”, tha Rama.

Rama e përshkroi grupin e protestuesve si një “mishmash kategorish”, grupesh sociale dhe partish politike me qëndrime të ndryshme. Ai kundërshtoi pretendimet e protestuesve për të përfaqësuar vullnetin e popullit, duke theksuar se legjitimiteti për të qeverisur dhe për të marrë vendime në emër të qytetarëve buron nga vota.

“Një mishmash kategorish ku janë mbledhur bashkë individë dhe grupe sociale, parti politike që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Ky mishmash ka një devizë përbashkuese, ne jemi populli, nuk e durojmë më këtë pushtet, ‘nuk e duam më këtë qeveri, jep dorëheqjen, bindu popullit’. Ky mishmash të keqkuptuarish që kanë marrë peng popullin nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe asnjë autorizim të flasë në emër të popullit sepse populli flet vetë me votën e tij. Vetëm sovrani popull i jep mandatet për të folur dhe vendosur në emër të tij. Kjo është marrëveshja thelbësore e demokracisë”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme