Tirana-Dinamo në RTSH, Klafuriç: Të harrojmë humbjen me Vllazninë, të fitojmë derbin

Abissnet Superiore | 2 orë më parë

Trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç, ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Dinamos, që do të luhet nesër në orën 13:30 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe do të transmetohet drejpërdrejt në RTSH Sport. Tekniku i bardhebluve tha se humbja me Vllazninë e ka trishtuar skuadrën, por tani duhet parë përpara dhe mënyra më e mirë për ta harruar është fitorja në derbin me Dinamon.

“Është bukur të fitosh dhe, siç e kam thënë edhe çdo herë tjetër, qasja jonë në çdo ndeshje është të fitojmë. Dhe sigurisht që pas një humbjeje, mënyra më e mirë për të ngritur kokë është të fitosh ndeshjen e radhës. Çdo fitore vlen njësoj, megjithëse në derbi mund të duket më e bukur. Pas humbjes me Vllazninë sigurisht që jemi të trishtuar, por duhet të shohim përpara dhe jemi gati për ndeshjen me Dinamon.

Nuk është mirë për ne, por as nuk është gjë e re për ne. Nuk është gjë e mirë për një klub të tillë të madh si Tirana që të mos kemi fushën tonë, para tifozëve tanë. Edhe për lojtarët është më mirë kur ke fushën tënde dhe e di çfarë të presësh, sidomos kur ke përkrahjen e tifozëve.

E analizuam ndeshjen dhe e dimë se çfarë ndodhi. Nuk ishte aq keq përsa i përket krijimit të rasteve, sepse kishim raste më të mira se Vllaznia, duke llogaritur edhe dy golat që shënuan. Por, nuk i shfrytëzuam rastet tona dhe kjo është më e rëndësishmja për ndeshjen me Dinamon, të shënojmë gola e t’i shfrytëzojmë rastet që krijojmë”, ka thënë mes të tjerash Klafuriç.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme