Ndiqte këshillat e ChatGPT për mjekimin, familja e gruas me epilepsi padit kompaninë pas vdekjes së saj

Botë | 2 orë më parë

Një grua 31-vjeçare me origjinë nga Kina, e cila jetonte në Shtetet e Bashkuara, humbi jetën pasi u mbështet te këshillat e inteligjencës artificiale për menaxhimin e trajtimit të saj mjekësor.

Rasti ka ngritur shqetësime të reja mbi përdorimin e chatbot-eve për çështje shëndetësore pa konsultimin e mjekëve.

Sipas raportimeve, Bowen Wan, ish-inxhiniere softuerësh në Amazon, vuante nga epilepsia dhe prej vitesh trajtohej me medikamente për kontrollin e krizave epileptike.

Gjatë një periudhe të vështirë shëndetësore dhe sociale, ajo nisi të përdorte gjithnjë e më shpesh ChatGPT, të cilin e konsultonte për çështje të ndryshme personale dhe mjekësore.

Me kalimin e kohës, 31-vjeçarja filloi të mbështetej te chatbot-i edhe për vendime që lidhen me medikamentet e saj.

Në fillim të vitit 2026, për shkak të shqetësimeve lidhur me gjendjen e saj shëndetësore dhe nevojën për t’u rikthyer në tregun e punës, ajo kërkoi këshilla për uljen e dozave të barnave kundër epilepsisë.

Sipas bisedave të cituara nga media amerikane, aplikacioni sugjeroi skema për reduktimin gradual të dozës, deri në ndërprerjen e plotë të ilaçit.

Edhe kur gruaja raportonte simptoma shqetësuese si konfuzion, vështirësi në të folur dhe humbje të përkohshme të vetëdijes, chatbot-i i minimizonte rreziqet dhe e siguronte se nuk kishte arsye për alarm.

Ndërkohë, mjeku i saj neurolog kishte paralajmëruar se ndërprerja e trajtimit për epilepsinë pa mbikëqyrje profesionale mund të ishte e rrezikshme.

Sipas ekspertëve, ulja ose ndalimi i këtyre medikamenteve duhet të bëhet vetëm nën kontroll mjekësor dhe për një periudhë të gjatë kohore.

Në shkurt të vitit 2026, familjarët humbën kontaktet me Bowen Wan. Pas kërkimeve, ajo u gjet e pajetë në apartamentin e saj në Seattle.

Autoritetet përcaktuan se shkaku i vdekjes ishte vdekja e papritur tek pacientët me epilepsi, një komplikacion i njohur që mund të ndodhë pas krizave të rënda epileptike.

Pas zbulimit të bisedave me ChatGPT, familja e saj vendosi të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kompanisë OpenAI.

Ata pretendojnë se chatbot-i ka ofruar këshilla të rrezikshme mjekësore, ka minimizuar simptomat serioze dhe e ka nxitur vajzën e tyre të ndërmarrë ndryshime në trajtim pa konsultuar specialistët.

Nga ana e saj, kompania e konsideroi rastin tejet shqetësues dhe theksoi se përdoruesja kishte përdorur një version më të vjetër të sistemit.

OpenAI deklaroi se modelet më të reja janë përmirësuar për të identifikuar situatat që mund të kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe ritheksoi se ChatGPT nuk duhet të përdoret si zëvendësim i kujdesit mjekësor profesional.

Rasti ka rikthyer debatin mbi kufijtë e inteligjencës artificiale në fushën e shëndetësisë dhe nevojën që pacientët të mos marrin vendime për trajtimet mjekësore pa u konsultuar me mjekët specialistë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme