Spahiu: Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve kërkon përgjegjësi të përbashkët

Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, të thirrur nga Kryeministri Edi Rama pas ngjarjeve të fundit në vend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit institucional në mbrojtje të fëmijëve.
Gjatë fjalës së saj, ministrja u shpreh se zhvillimet e fundit kanë vendosur institucionet përballë nevojës për të analizuar jo vetëm masat e ndërmarra deri më tani, por edhe mënyrën sesi bashkëpunojnë mes tyre për të parandaluar dhe trajtuar situatat që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Ngjarjet e fundit na kanë vendosur përpara nevojës për të vlerësuar jo vetëm masat e ndërmarra, por edhe mënyrën se si institucionet tona bashkëpunojnë për të parandaluar dhe trajtuar situata që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Spahiu.
Sipas saj, takimi krijon një hapësirë të përbashkët diskutimi mbi situatën aktuale, përgjegjësitë institucionale dhe masat që duhet të ndërmerren në vijim për forcimin e mbrojtjes së të miturve.
Ministrja nënvizoi se mbrojtja e fëmijëve duhet të mbetet përparësi absolute dhe të qëndrojë mbi çdo agjendë, ndasi apo interes politik.
“Ta shohim këtë takim jo vetëm si reagim ndaj situatave të fundit, por si një mundësi për të identifikuar boshllëqet, për të përmirësuar mekanizmat tanë dhe për të forcuar përgjegjësinë e përbashkët”, u shpreh ajo.
Spahiu theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve është e përbashkët dhe përfshin institucionet, prindërit, mësuesit, mentorët, drejtuesit dhe çdo qytetar.
“Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet parësor koordinimi ndër-institucional dhe monitorimi i vazhdueshëm i situatës nëpërmjet institucioneve tona përgjegjëse dhe strukturave vendore ku roli i Njësive për Mbrojtjen e Fëmijës është thelbësor. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, që prej fillimit të protestave, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor, Policinë e Shtetit, institucionet e drejtësisë dhe organizatat partnere, me qëllim identifikimin, asistimin dhe ndjekjen e rasteve të fëmijëve të përfshirë.Sipas të dhënave të raportuara janë evidentuar gjithsej 116 raste fëmijësh të përfshirë në protestat e zhvilluara, të raportuara nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve në 8 bashki të vendit (Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Berat, Mat, Prrenjas, Korçë, Kamëz). Prej tyre, 47 raste janë asistuar dhe dokumentuar nga punonjësit për mbrojtjen e fëmijës pasi ka patur procedim penal për ta në komisariate, ndërsa në 29 raste, punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve kanë asistuar fëmijët gjatë procedurave pranë organeve të drejtësisë, në mungesë të prindit apo kujdestarit ligjor, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe interesit të tyre më të lartë.
Sipas saj, pesha e kësaj përgjegjësie kërkon bashkëpunim më të ngushtë mes të gjitha palëve, në mënyrë që të garantohen siguria, mirëqenia dhe zhvillimi i shëndetshëm i fëmijëve në Shqipëri.
/rtsh.al.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




