Kanceri i gjirit, seminar shkencor në Korçë – Ekspertët bashkojnë forcat kundër sëmundjes

Sociale | 58 minuta më parë

Në Universitetin “Fan S. Noli” u zhvillua një seminar shkencor mbi luftën kundër kancerit të gjirit. Organizuar nga Departamenti i Shkencave Sociale dhe ai i Infermierisë, aktiviteti trajtoi rëndësinë e ndërthurjes së kujdesit mjekësor me mbështetjen sociale.

Dr. Suela Dinellari, Përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Sociale., u shpreh se “Departamenti i Shkencave Sociale, së bashku me Departamentin e Infermierisë, menduan të sjellin një risi, duke e trajtuar këtë tematikë jo vetëm në planin mjekësor, por edhe në atë të trajtimit dhe ofrimit të shërbimeve sociale. Në këtë kontekst, jemi përpjekur të përcjellim, përmes disa studimeve shkencore të realizuara nga mjekë, profesorë dhe psikologë, rëndësinë e Tetorit Rozë, jo vetëm si një element i rëndësishëm për trajtimin mjekësor, por edhe në këndvështrimin social.”

Në fokus ishte bashkëpunimi mes sistemit spitalor dhe strukturave mbështetëse për një trajtim sa më të plotë të pacienteve. Një shërbim i tillë i integruar, sipas organizatorëve, mungon ende në vendin tonë.

“Paralelisht me kërkesat që parashikon ligji për kujdesin shëndetësor dhe social, kuadri ligjor mund të jetë i përafruar shumë mirë me standardet europiane. Megjithatë, problematika qëndron te mënyra se si këto kërkesa zbatohen në praktikë, pra në realitetin konkret.”

Seminari synoi të nxisë bashkëpunimin mes profesionistëve të shëndetësisë dhe shërbimeve sociale për përmirësimin e kujdesit ndaj grave të prekura nga kanceri i gjirit.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme