Ukraina: Sulmet ruse shkatërrojnë shpresat për paqe pas vrasjes së 26 personave

Europë | 1 minutë më parë

Ukraina deklaroi të hënën se sulmet e njëpasnjëshme ruse mbi një shkollë ku shpërndahej ndihmë humanitare kanë lënë të vdekur të paktën 26 persona, duke zbehur shpresat e bragjilta për përmirësimin e procesit të paqes menjëherë pas përfundimit të armëpushimit lokal në jug të vendit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cilësoi sulmet në rajonin e Zaporizhzhias si “të tmerrshme”, ndërsa ushtria ruse rinisi goditjet me bomba ajrore menjëherë pas skadimit të armëpushimit më të gjatë të regjistruar që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e SHBA-së Melania Trump për të mundësuar një mision evakuimi në qytetin e pushtuar të Oleshky-t, përfundoi të dielën pa shkelje të deklaruara nga palët. Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, forcat ruse goditën një fshat në Zaporizhzhia.

“Çdo të hënë atje shpërndahej ndihmë humanitare për banorët. Rusët kryen sulmin e parë pikërisht kur njerëzit mbërritën — me disa bomba ajrore. Më pas pasoi një goditje e dytë përsëri me bomba ajrore, këtë herë duke synuar strehimoren,” deklaroi Zelensky gjatë adresimit të tij ditor.

Ndërmjet të vrarëve u konfirmuan edhe dy punonjës të shërbimit të shpëtimit, Denys Konovalenko dhe Oleksy Sushchevsky, të dy 44 vjeç, si dhe katër punonjës policie.

Zelensky në lidhje me situatën u shpreh: “Pas armëpushimit në Oleshky, ekzistonte një moment kur hapat e mëtejshëm mund të kishin treguar se progresi drejt paqes ishte i mundur. Me këto vrasje, Rusia po dërgon një sinjal tërësisht të kundërt: Rusia llogarit mbi më shumë vrasje. Për këtë duhet të ketë një përgjigje.”

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë ukrainas bënë me dije se Rusia refuzoi propozimin për zgjatjen e armëpushimit dhe se forcat ruse shfrytëzuan pauzën për të forcuar pozicionet e tyre ushtarake. Zëdhënësi i Kremilnit, Dmitry Peskov, nuk i mohoi këto pretendime, duke u shprehur se kjo përbën “një praktikë tërësisht normale në situata të tilla.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme