Trupat evropiane në Ukrainë do të mund t’u kundërpërgjigjen rusëve nëse sulmohen

Botë | 2 orë më parë

Ushtarët britanikë dhe ata të vendeve të tjera europiane do të kenë të drejtën të hapin zjarr nëse sulmohen nga forcat ruse, në rast se vendosen në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta britanike The Guardian, e cila citon zyrtarë perëndimorë të njohur me planet për misionin e ardhshëm shumëkombësh.

Forca e stabilizimit, e udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, parashikohet të përbëhet pothuajse tërësisht nga trupa europiane dhe të operojë jashtë strukturave të NATO-s, me pak ose aspak mbështetje ushtarake amerikane.

“Është e qartë se ne do t’i mbrojmë forcat tona nga çdo agresion”, ka deklaruar një zyrtar perëndimor për The Guardian, duke theksuar se veprimet e trupave do të kenë karakter mbrojtës. Rregullat e angazhimit do t’u lejojnë ushtarëve europianë të kundërpërgjigjen edhe ndaj sulmeve me dronë rusë.

Një tjetër element i rëndësishëm i planit është shmangia e varësisë nga teknologjia amerikane. Sipas zyrtarëve, misioni nuk do të mbështetet në sistemet ushtarake të SHBA-ve, përfshirë rrjetin satelitor Starlink të Elon Musk.

Kjo vjen në një kohë kur janë ngritur shqetësime për besueshmërinë e mbështetjes amerikane, pasi muajin e kaluar Uashingtoni kufizoi për rreth 10 ditë përdorimin nga Ukraina të Starshield, versionit ushtarak të Starlink, duke ndikuar në operacionet me dronë të forcave ukrainase.

11 vende përgatiten për një dislokim të mundshëm në Ukrainë

Britania e Madhe dhe Franca po përgatiten të zhvillojnë gjatë muajit nëntor në Poloni stërvitjen ushtarake “Exercise Koalicja”, ku do të marrin pjesë 11 vende. Qëllimi është testimi i kapaciteteve për dislokimin e shpejtë të trupave europiane në Ukrainë, në rast se arrihet përfundimi i luftës.

Në stërvitje do të angazhohen rreth 2,800 efektivë nga forcat tokësore, detare dhe ajrore. Franca do të kontribuojë me 1,500 ushtarë nga Divizioni i Parë, ndërsa Britania me 300 efektivë nga Brigada e 7-të e Mekanizuar e Lehtë.

Pjesë e stërvitjes do të jenë gjithashtu Polonia, Gjermania, Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Turqia.

Komandanti i forcës shumëkombëshe, gjenerallejtënant Tom Bateman, ka deklaruar se vendet pjesëmarrëse janë të angazhuara për t’i ofruar Ukrainës garanci të forta sigurie pas përfundimit të luftimeve.

Një prej objektivave kryesorë të misionit do të jetë rindërtimi dhe forcimi i ushtrisë ukrainase, përmes trajnimeve, pajisjeve dhe mbështetjes logjistike. Gjithashtu, avionët luftarakë europianë pritet të kryejnë patrullime ajrore për të ndihmuar në rihapjen e aeroporteve civile të Ukrainës, ndërsa në Detin e Zi parashikohet një operacion për çminimin e rrugëve detare, i udhëhequr nga Turqia.

Megjithatë, dislokimi i trupave mbetet ende një skenar i mundshëm dhe varet nga arritja e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës. Përpjekjet e fundit diplomatike nuk kanë sjellë ende përparim të rëndësishëm, ndërsa të dyja palët vijojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar angazhimin e trupave amerikane në një mision paqeruajtës në Ukrainë, duke e bërë edhe më të rëndësishme çështjen e kapaciteteve të pavarura europiane për garantimin e sigurisë.

Sipas The Guardian, forcat europiane do të vendoseshin larg vijës së frontit dhe nuk do të kishin si detyrë monitorimin e armëpushimit apo kryerjen e operacioneve sulmuese. Megjithatë, e drejta për t’iu kundërpërgjigjur çdo agresioni rus ngre pikëpyetje mbi rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes forcave europiane dhe Rusisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme