PSG, Fabian Ruiz: Jemi një ekip i fortë, duam titullin e tretë

Futboll Bota | 2 orë më parë

Paris Saint-Germain duket i pandalshëm. Pasi mposhtën Slovan Bratislava, Manchester City dhe Barcelonën, të besuarit e Luis Enriques shkatërruan edhe Villarrealin me një fitore të thellë 6-0. Ekipi parisien konfirmoi, edhe një herë, se është pretendent për titullin e Ligës së Kampionëve. Ylli i ndeshjes së mbrëmshme ishte Fabian Ruiz. Mesfushori spanjoll shënoi dy gola dhe u shpall MVP i ndeshjes. Ai u intervistua nga Canal+, duke folur për ambiciet dhe ëndrrat e ekipit të tij.

“E dimë sa e vështirë është ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar. Çdo vit është më i komplikuar se ai i mëparshmi. Jemi një ekip shumë i fortë, një grup i shkëlqyer, të gjithë kemi të njëjtat qëllime dhe mendoj se e tregojmë këtë në fushë. Të gjithë presin nga ne”.

“Ëndrra jonë? Fitimi i këtij trofeu tri herë radhazi do të ishte vërtet madhështor, por ne e dimë sa e vështirë është. Ajo që mund të garantojmë është se kemi çdo dëshirë për të arritur përsëri në finale këtë vit. Ne punojmë çdo ditë për ta bërë këtë ëndërr realitet”.

Pavarësisht një mbrëmjeje perfekte, Fabian Ruiz donte të shprehte mendimet e tij për ndarjen nga jeta të Jesus de Miguel: “Para së gjithash, dua të shpreh trishtimin tim për atë që i ndodhi Jesus de Miguel. Fitorja jonë i dedikohet atij, por veçanërisht familjes së tij. Na vjen shumë keq të gjithëve”.

Ai gjithashtu vlerësoi cilësinë e ekipit kundërshtar: “E dinim që po vinim të luanim në një fushë të vështirë, kundër një ekipi të shkëlqyer me një organizim të fortë. Bëmë mirë që shfrytëzuam shanset tona. Do të doja gjithashtu të përgëzoja Villarrealin”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme