Pedro Sánchez përshëndet zgjedhjet në SHBA: Amerikanët votuan kundër urrejtjes, së shpejti edhe Spanja

Botë | 2 orë më parë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar publikisht ndaj rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar triumfin e demokratëve si një sinjal të fortë politik me ndikim ndërkombëtar.

Përmes një postimi në rrjetin social X, shefi i qeverisë spanjolle e përshkroi procesin zgjedhor amerikan si “një votë kundër urrejtjes”, duke i lidhur këto zhvillime me zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme që pritet të zhvillohen në Spanjë më 29 nëntor.

Sipas Sánchez, votuesit përtej Atlantikut refuzuan linjat politike radikale.

“Dje, shoqëria amerikane votoi kundër politikave që vetëm varfërojnë. Kundër urrejtjes. Kundër maskilizmit. Kundër mohimit të ndryshimeve klimatike dhe kundër privilegjeve të elitës”, ka shkruar ai.

Kryeministri spanjoll e vendosi këtë rezultat në kuadrin e një tendence më të gjerë globale, duke përmendur gjithashtu zhvillimet politike në Amerikën Latine: “Ndodhi në Brazil. Sapo ndodhi në SHBA. Dhe së shpejti do të ndodhë në Spanjë”.

Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i ekzekutivit në Madrid mori në shënjestër drejtuesit e opozitës vendase, Alberto Núñez Feijóo të Partisë Popullore dhe Santiago Abascal të partisë Vox. Sánchez nënvizoi se “vala e ekstremizmit me të cilën Feijóo dhe Abascal po përpiqen të hipin nuk po rritet më, po shembet”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme