Projektbuxheti 2027 me Komisionin e Edukimit, sporti me 749 milionë lekë, arsimi profesional pritet të mbështetet me 5 miliardë lekë

Politikë | 2 orë më parë

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, nën drejtimin e nënkryetares Alma Selami, ka zhvilluar mbledhjen për shqyrtimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”, duke u ndalur në alokimet financiare për sportin dhe arsimin profesional.

Prioritetet dhe mbështetja buxhetore për sportin

Në pjesën e parë të mbledhjes, zëvendësministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Endrit Hoxha, paraqiti arritjet e vitit 2026 dhe objektivat për vitin e ardhshëm. Sa i përket linjës politike dhe investimeve, Hoxha nënvizoi se “për vitin 2027, synojmë të konsolidojmë politikat ekzistuese dhe të zgjerojmë ndërhyrjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në pjesëmarrjen sportive, rezultatet e sportistëve dhe kapacitetet organizative të vendit”.

Për arritjen e këtyre objektivave, përfaqësuesi i ministrisë detajoi se “në buxhetin 2027, programi ‘Zhvillimi i Sportit’ parashikohet me një buxhet total prej 749.711 milionë lekësh”. Nga ky fond total, 714.711 milionë lekë do të destinohën për shpenzime korrente, ndërsa 35 milionë lekë për shpenzime kapitale.

5.07 miliardë lekë për arsimin profesional dhe bursat e nxënësve

Mbledhja vijoi me dëgjesën me Ministren për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, e cila paraqiti vizionin për zhvillimin e aftësimit profesional. Ministrja sqaroi se në Shqipëri operojnë shkollat profesionale publike që trajnojnë mijëra studentë, ndërsa parashikoi një rritje të pjesëmarrjes për vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2027, ne synojmë që numri i studentëve të arrijë 16.200, ndërsa pjesëmarrja e arsimit profesional të përfaqësojë 19% të nxënësve të arsimit të mesëm”, u shpreh Ibrahimaj.

Për realizimin e këtyre objektivave arsimore, qeveria ka parashikuar një financim prej 5.07 miliardë lekësh, i cili do të mbulojë funksionimin e shkollave, personelin mësimor, mbështetjen e nxënësve dhe investimet infrastrukturore.

Një fokus i veçantë u vu te mbështetja sociale e nxënësve, ku janë planifikuar 457.4 milionë lekë për bursa dhe 24 milionë lekë për subvencionimin e teksteve mësimore.

Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e këtyre masave, duke theksuar se “këto instrumente kanë rëndësi për familjet, veçanërisht për nxënësit që vijnë nga zona rurale ose që duhet të zhvendosen për të ndjekur shkollat profesionale”.

Në përfundim të diskutimeve dhe prezantimeve të detajuara, anëtarët e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet e miratuan në parim projektbuxhetin për vitin 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme