Shqipëria mikpret forumin global të pagesave, Banka e Shqipërisë prezanton arritjet e tregut digjital

Ekonomi | 2 orë më parë

Për herë të parë, kryeqyteti shqiptar është bërë qendra e një prej forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e sistemit financiar. Në datat 4 dhe 5 nëntor 2026, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, ka organizuar Konferencën e 8-të Ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut me vlerë të vogël, duke mbledhur 260 përfaqësues nga 85 vende të botës.

Rritja e pagesave digjitale dhe përdorimi i kartave

Konferenca u çel nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili prezantoi transformimin e thellë që ka pësuar tregu i pagesave gjatë dekadës së fundit. Duke ilustruar progresin, ai u shpreh se “numri i pagesave digjitale për frymë në vendin tonë ka arritur në 29 në vit”, duke shënuar një rritje prej rreth 25% në vit krahasuar me vetëm 5 pagesa një dekadë më parë.

Përtej kësaj, Guvernatori theksoi një moment historik për tregun vendas: me 1.6 milionë karta në qarkullim, gjatë vitit 2025, “për herë të parë, ato u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje të parasë fizike”.

Integrimi në SEPA dhe infrastruktura 24/7

Fokusi i diskutimeve u ndal në përfitimet e drejtpërdrejta nga anëtarësimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Ky integrim financiar, sipas Sejkos, bën të mundur që “transfertat në Euro drejt vendeve pjesëmarrëse kushtojnë deri në 20 herë më lirë krahasuar me periudhën përpara anëtarësimit”.

Kjo pritet të gjenerojë lehtësira për biznesin dhe qytetarët, ndërsa kursimet vjetore për ekonominë shqiptare “vlerësohen mbi 71 milionë euro në vit”.

Në planin rajonal, u prezantua projekti strategjik “TIPS Clone”, një infrastrukturë e re që pritet të vihet në funksion brenda këtij viti. Ky sistem i ri “synon mundësimin e transfertave të fondeve në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, duke u ofruar bizneseve dhe qytetarëve disponueshmëri të menjëhershme të likuiditetit.

Siguria kibernetike dhe partneriteti me Bankën Botërore

Paralelisht me inovacionin, Banka e Shqipërisë nënvizoi sfidat e sigurisë.

“Zhvillimi i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me forcimin e qëndrueshmërisë operacionale, mbrojtjen ndaj kërcënimeve kibernetike, sigurinë e të dhënave dhe parandalimin e mashtrimeve”, paralajmëroi Guvernatori, duke e vënë theksin te edukimi financiar si domosdoshmëri për përfshirjen e të gjitha grupeve shoqërore.

Në kuadër të këtij eventi, përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore, të udhëhequr nga Drejtorja për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, dhe përfaqësuesi rezident në Tiranë, Massimiliano Paolucci, vlerësuan partneritetin e konsoliduar mes dy institucioneve. Sipas vlerësimeve të delegacionit ndërkombëtar, falë reformave, avancimit me projektin TIPS Clone dhe anëtarësimit në SEPA, Shqipëria ndodhet sot “në pararojë të zhvillimeve në fushën e pagesave”, duke u shndërruar në një “shembull frymëzues të reformave dhe transformimit të sektorit financiar në rajon”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme