Vdes në rrethana të paqarta shkencëtari që zbuloi Novichok-un dhe akuzoi Moskën për helmimet

Vladimir Uglev, shkencëtari rus që ndihmoi në zhvillimin e agjentit nervor Novichok dhe më vonë akuzoi Moskën për përdorimin e tij në atentate të nivelit shtetëror, është gjetur i vdekur në moshën 80-vjeçare.
Lajmi u raportua nga media e pavarur ruse The Insider, e cila bëri të ditur se Uglev kishte ndërruar jetë më 26 tetor. Deri më tani nuk është bërë e ditur shkaku i vdekjes dhe as arsyeja pse njoftimi u publikua me vonesë.
Uglev kishte punuar në laboratorët sovjetikë nga viti 1975 deri në vitin 1990, ku kontribuoi në zhvillimin e disa prej agjentëve të parë të familjes Novichok. Më vonë, ai u bë një nga kritikët e zëshëm të përdorimit të kësaj substance kundër kundërshtarëve të Kremlinit.
Në vitin 2018, pasi agjenti nervor u përdor për helmimin e ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, në Britaninë e Madhe, Uglev e cilësoi ngjarjen si një “atentat të nivelit shtetëror”, të organizuar nga Moska.
“Këta nuk janë viktimat e para që kam në ndërgjegjen time”, deklaroi ai për BBC-në në prill të vitit 2018, një muaj pasi Skripalët u gjetën pa ndjenja në një stol parku, përpara se të konfirmohej se do të mbijetonin.
“Nëse do të mendoja për këtë, ndoshta mund të numëroja një duzinë njerëzish që janë helmuar me substancat tona, në rrethana të ndryshme, për shembull, në poligonin e stërvitjes ushtarake”, tha shkencëtari.
Novichok u përdor gjithashtu në gusht të vitit 2020 për helmimin e opozitarit rus Alexei Navalny, i cili u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga qyteti siberian Tomsk drejt Moskës. Ai u vendos në koma të induktuar dhe më pas u transportua me urgjencë në një spital në Berlin të Gjermanisë, ku analizat laboratorike konfirmuan helmimin me këtë agjent nervor.
Navalny arriti të mbijetonte dhe u kthye në Rusi, ku u burgos në një koloni penale në Arktik. Ai humbi jetën në burg në shkurt të vitit 2024. E veja e tij, Yulia Navalnaya, akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e bashkëshortit.
“Vladimir Putin vrau bashkëshortin tim”, deklaroi ajo në atë kohë.
Uglev kishte treguar gjithashtu se ishte ekspozuar vetë ndaj rrezikut nga Novichok, pasi ishte spërkatur aksidentalisht me substancën gjatë punës në laborator.
“Do të mund të thuhej se Skripalët dhe unë jemi pagëzuar me të njëjtin Novichok. Ishte substanca ime”, kishte deklaruar ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




