Raporti i Progresit, Kryetari Peleshi: Kuvendi, i angazhuar plotësisht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Politikë | 2 orë më parë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë.

Raporti vlerëson ecurinë e reformave dhe përparimin e vendit në negociatat e anëtarësimit në BE, duke evidentuar prioritetet, arritjet dhe sfidat që kërkojnë angazhim të mëtejshëm.

Kryetari Peleshi theksoi se Kuvendi do t’i shqyrtojë me përgjegjësi vlerësimet dhe rekomandimet e Raportit, duke vijuar kontributin e tij në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe avancimin e reformave integruese.

Raporti i Progresit 2026 evidenton përparimin e Shqipërisë në disa fusha kyçe të procesit të integrimit europian, përfshirë hapjen e të gjashtë grupkapitujve të negociatave, që përfshijnë 33 kapituj negociues, dhe mbylljen e përkohshme të katër prej tyre.

Vlerësohet gjithashtu progresi në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, rritja ekonomike dhe ulja e borxhit publik, transformimi digjital, sektori i energjisë, arsimi, shkenca dhe inovacioni.

Raporti vlerëson gjithashtu përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe mbështetjen financiare përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Njëkohësisht, ai përcakton prioritetet për vijimin e reformave, ku një rol të rëndësishëm ka edhe Kuvendi, përmes përafrimit të legjislacionit me standardet europiane dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare.

Kuvendi i Shqipërisë mbetet i angazhuar për të përmbushur me përgjegjësi rolin dhe kontributin e tij institucional në funksion të objektivit strategjik kombëtar, anëtarësimit në Bashkimin Europian, me synimin për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme