Studentët dhe shoqëria civile në Kushtetuese, ankimojnë tre aktet e qeverisë për protestat
Studentët e grupimeve “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile, kanë depozituar tre ankime në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar aktet e miratuara që lidhen me kufizimin e protestave dhe të drejtën për tubim. Përmes një deklarate publike, studentët bëjnë me dije se ankimet janë nënshkruar së bashku me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania. Sipas tyre, këto akte synojnë të kufizojnë hapësirat demokratike dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar, kundërshtuar padrejtësitë dhe ngritur zërin.
“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirat e fundit demokratike që kanë mbetur, të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të ngritur mbi të gjitha zërin”, thuhet në deklaratën e studentëve.
Ankimet drejtohen kundër aktit normativ nr. 5 të vitit 2026, aktit normativ nr. 6 të vitit 2026 dhe VKM-së nr. 815 të vitit 2026. Konkretisht, për aktin normativ nr. 5, studentët dhe organizatat kundërshtojnë dispozitat që, sipas tyre, i japin Policisë të drejtën të ndalojë ose kufizojë protestat pranë institucioneve, përfshirë edhe ato të arsimit të lartë, të largojë qytetarët nga zonat e mbrojtura, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe të vendosë gjoba deri në 500 mijë lekë të reja, sa dhjetë paga minimale në Shqipëri.
Sa i përket aktit normativ nr. 6 të vitit 2026, ankuesit kundërshtojnë përgjegjësinë solidare që u ngarkohet organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga pjesëmarrës të tjerë gjatë protestave të tetorit. Gjithashtu, ata ngrenë shqetësimin për vendosjen e gjobave për sjellje të kryera përpara se këto sanksione të ekzistonin.
“Kundërshtojmë aktin normativ nr. 5 të vitit 2026, i cili i jep Policisë të drejtën të ndalojë apo kufizojë protestat rreth institucioneve, përfshirë edhe ato të arsimit të lartë; të largojë qytetarët nga zonat e mbrojtura; të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale; si dhe të vendosë gjoba deri në 500 mijë lekë të reja, sa dhjetë paga minimale në Shqipëri.
Akti normativ nr. 6 i vitit 2026, i cili i bën organizatorët përgjegjës solidarë për dëmet e shkaktuara nga pjesëmarrës të tjerë në protestat e tetorit dhe vendos gjoba për sjellje të kryera përpara se këto gjoba të ekzistonin. Pra, në këto raste kemi rrezikun e prapaveprimit ligjor. Pra, në këto raste kemi rrezikun e prapaveprimit ligjor”, theksojnë studentët dhe organizatat.
Një tjetër objekt kundërshtimi është VKM-ja nr. 815 e vitit 2026, e cila, sipas ankuesve, parashikon krijimin e një regjistri policor pranë prokurorisë për personat që kanë marrë pjesë në tubime. Ata argumentojnë se kjo mund të sjellë kufizimin e së drejtës për të dalë jashtë vendit pa një vendim gjykate. Në përfundim të deklaratës, studentët dhe organizatat e shoqërisë civile japin edhe mesazhin që, sipas tyre, përcillet nga të tria aktet e kundërshtuara.
“VKM numër 815 të vitit 2026 i cili kërkon një regjistër policor në prokurori të personave që kanë marrë pjesë në tubime duke iu rerzikuar daljen jashtë vendit pa vendim gjykate. Tri akte të ndryshme me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit duhet të ketë frikë nga pasojat. Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. Deri në vendimin përfundimtar të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Nëse Kuvendi miraton aktet normative, ankimi nuk do të mbetet pa objekt. I kemi kërkuar gjykatës që ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues”, thuhet në deklaratë. Për këtë arsye, ata i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ankimet të shqyrtohen me përparësi dhe të pezullohet zbatimi i dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




