Franca paralajmëron kundërpërgjigje ndaj Iranit, akuzoi Teheranin për sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ngrirjes në supermarkete

Europë | 19 minuta më parë

Franca, e cila akuzoi të hënën Iranin si përgjegjës për sulmet masive kibernetike që më 11-12 tetoer prekën sistemet elektronike të kontrollit të frigoriferëve në qindra supermarketet, tha se nuk përjashton asnjë mundësi në kundërpërgjigjen ndaj Teheranit.  Ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot bëri të ditur se ambasadori iranian do të thirret në Ministrinë e Jashtme dhe se Parisi do të kërkojë vendosjen e sanksioneve në nivel evropian ndaj Republikës islamike.

“Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi. Do të ndërmarrim të gjitha masat, përfshirë edhe ato për të cilat nuk do të flasim publikisht, që ne i konsiderojmë proporcionale dhe të nevojshme për të parandaluar sulme të tjera dhe për të ndëshkuar autorët e këtij agresioni të papranueshëm”- deklaroi Barrot.

Ministri theksoi se synimi është të parandalohet përsëritja e sulmeve, si nga Irani, ashtu edhe nga aktorë të tjerë. Barrot deklaroi një ditë më parë se pas sulmeve të para të këtij lloji dhe përmasash në territorin francez qëndron Garda Revolucionare Islamike e Iranit. Prokuroria e Parisit njoftoi se ka nisur hetimet dhe ka kërkuar gjithashtu lëshimin e urdhër arresteve ndërkombëtare për dy drejtues të njësisë së fshehtë kibernetike Shahid Kaveh, që dyshohet se është pjesë e Gardës Revolucionare Islamike.

Kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas premtoi përgjigje të fortë evropiane ndaj Teheranit. Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se nuk është çudi nëse Irani qëndron pas sulmeve kibernetike që goditën Francën. “Garda Revolucionare ka kryer akte terrorizmi dhe sabotimi në të gjithë botën për një kohë të gjatë”- u shpreh ai.

Incidente të ngjashme u raportuan edhe në vende të tjera evropiane. Më 2 nëntor, dyqane në të paktën nëntë shtete të tjera u goditën nga një sulm i dyshuar kibernetik ndaj sistemeve të ngrirjes së produkteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme