Bizneset kundër ndryshimeve fiskale, kërkojnë prag TVSH-je jo më të ulët se 8.5 milionë lekë, turizmi kundërshton rritjen e TVSH-së për akomodimin

Ekonomi | 21 minuta më parë

Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme ka paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë pesë kërkesa kryesore lidhur me paketën e re fiskale. Një prej tyre lidhet me pragun e regjistrimit në TVSH, për të cilin kërkohet që të mos jetë më i ulët se 8.5 milionë lekë.

“Propozojmë që pragu, edhe nëse ulet, të mos jetë 98,5 milionë lekë, i shoqëruar me një rregull kundër copëzimit artificial.Zero për qind tatim mbi qiranë për 36 muaj për çdo banesë, përfshirë edhe ato bosh që jepen me qira të regjistruar. Tatimi të jetë 10% në vend të 15% për qiranë afatgjatë dhe supertaksa të përdoret vetëm si mjet i fundit, pas vitit 2029, aty ku kemi synuar kadastrën fiskale. Taksa e pasurisë të zbatohet vetëm në zonat me presion, me përjashtime të qarta për banesën e emigrantit. Çmimet referuese duhet të ndërtohen mbi çmimet e shitjes sipas zonave, me përditësim të paktën një herë në vit dhe me kalim të shkallëzuar”, u shpreh Reinaldo Pipiria, Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme.

Edhe përfaqësuesit e industrisë së turizmit kanë kundërshtuar rritjen e TVSH-së për akomodimin nga 6 në 10 për qind. Sipas tyre, në vend të rritjes së barrës fiskale, qeveria duhet të përqendrohet te formalizimi i tregut dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së sektorit.

“Zgjidhja më e mirë është 6% dhe formalizimi i tregut. Së dyti, në Europë nuk është ulur vetëm TVSH-ja e akomodimit, por edhe TVSH-ja e ushqimit. Ne, që tani, nuk jemi konkurrues. Me këtë ndërhyrje, pra me normat 10% dhe 20%, ne shkojmë në nivele taksimi dy deri në tri herë më të larta se rajoni. Pra, humbasim konkurrueshmërinë. Ne propozojmë që industria e turizmit, e cila po mban ekonominë, të stimulohet në këtë moment të rëndësishëm. Mund të them edhe zyrtarisht se rënia e euros është një goditje shumë e madhe për industrinë”, tha Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit.

Nga ana tjetër Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka paralajmëruar se do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse mirarohen ndryshimet e propozuara nga qeveria.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme