Safiri i familjes Romanov shitet për afro 5 milionë dollarë në ankandin e Gjenevës

Kuriozitete | 11 minuta më parë

Një byzylyk unik, i cili mban në qendër një safir të madh që dikur ishte pjesë e xhevahireve të kurorës perandorake ruse, është shitur për afro 5 milionë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm parashikimet e tregut.

Bizhuteria, e cila përmban safirin “Romanov” prej 197.80 karatësh në formë jastëku të vendosur në një byzylyk gjeometrik diamanti nga argjendari “Cartier”, u nxor në shitje të mërkurën nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në Gjenevë të Zvicrës. Çmimi përfundimtar i shitjes arriti në 4.1 milionë franga zvicerane (rreth 4.9 milionë dollarë), një shifër shumë më e lartë se vlerësimi fillestar që varionte nga 850,000 deri në 1.7 milionë franga zvicerane.

Përfaqësuesit e shtëpisë së ankandeve theksuan vlerën e rrallë të këtij guri të çmuar, duke nënvizuar se “ky safir historik i jashtëzakonshëm e ka origjinën nga koleksioni legjendar i familjes Romanov”. Sipas tyre, “koleksioni i famshëm i carëve rusë ishte padyshim koleksioni më i pasur dhe më i vlefshëm mbretëror i mbledhur ndonjëherë”.

Historia e këtij safiri është thellësisht e lidhur me monarkinë e fundit ruse, sundimi i së cilës përfundoi në vitin 1917 me abdikimin e Carit Nikolla II. Ndonëse nuk dihet data e saktë e blerjes nga Romanovët, të dhënat arkivore e identifikojnë gurin (së bashku me palën e tij) si pjesë e veshjes së Perandoreshës së Vejushë, Maria Feodorovna, nënës së Nikollës II, gjatë një balloje në vitin 1883.

Rrugëtimi i safirit ndryshoi pas Revolucionit Rus. Koleksioni perandorak u shit nga sovjetikët në vitet 1920, periudhë pas së cilës ky gur u ble në vitin 1927 nga personaliteti i shquar Ganna Walska. Në atë kohë, guri ishte i montuar në një gjerdan dhe qëndroi aty deri në shitjen e pasurisë së Walskës në vitin 1971, kur u zhvendos në një varëse më të shkurtër. Formën e tij aktuale e mori në vitin 2015, kur marka prestigjioze “Cartier” e inkorporoi atë në byzylykun modern.

“Byzylyku, me qendër kristali shkëmbor të këmbyeshëm, nxjerr në pah si safirin historik të Romanovëve, ashtu edhe trashëgiminë unike artistike të Cartier të ankoruar në periudhën e art deko”, sqaroi shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

Bizhuteritë me prejardhje nga familja Romanov historikisht kanë tërhequr vëmendje të madhe në tregun e ankandeve, duke kaluar shpesh vlerësimet paraprake. Një precedent i ngjashëm u shënua në vitin 2021, kur një broshë me safir dhe diamant, së bashku me vathët e ngjashëm, u shitën në “Sotheby’s” për 806,500 franga zvicerane (rreth 883,600 dollarë), vlerë kjo pothuajse sa dyfishi i çmimit maksimal të parashikuar.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme