Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, probleme me aksesin në Outlook dhe Microsoft 365

Teknologji | 22 minuta më parë

Përdorues në pjesë të ndryshme të botës po përballen me vështirësi teknike dhe ndërprerje në funksionimin e shërbimeve të Microsoft-it, përfshirë platformën e postës elektronike Outlook.

Lajmi u konfirmua nga vetë kompania teknologjike përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale, pas raportimeve të shumta për mungesë aksesi.

“Ndërsa punojmë për të zbutur ndikimin, mund të konfirmojmë se ky problem mund të ndikojë në lidhjen me shërbimet e Microsoft 365 për përdoruesit në çdo zonë gjeografike”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga ekipi teknik, problematikat janë veçanërisht të dukshme në aksesimin e llogarive të postës elektronike.

“Po hetojmë raportet e përdoruesve që kanë probleme me aksesin në kutitë e tyre postare të Exchange Online në metoda të shumta lidhjeje në Amerikë”, bëri me dije kompania.

Lidhur me shkakun e këtij defekti, Microsoft sqaroi se ngarkesa në serverë po pengon funksionimin normal të rrjetit.

“Kemi zbuluar se një pjesë e infrastrukturës po përjeton ngarkesë të lartë në disa rajone, gjë që ka të ngjarë të kontribuojë në problemet e lidhjes”, përfundon reagimi zyrtar.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme