Rama: Pas zhurmës në bulevard, radha jonë të flasim. Prani politike kudo në territor, të dëgjojmë çdo qytetar
Kryeministri Edi Rama kërkoi një angazhim më të madh të strukturave socialiste në terren, duke theksuar nevojën për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.
Rama tha se Partia Socialiste duhet të nisë një komunikim të gjerë në çdo lagje dhe fshat të vendit, duke e cilësuar këtë si një moment për të kaluar nga zhurma politike te dialogu me qytetarët.
“Prandaj ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor. Tani ka ardhur radha jonë të flasim pas zhurmës dhe tymit në bulevard. I kanë thënë tashmë të tëra, kanë shkulur të gjithë gurët, i kanë hedhur të gjithë molotovët. Tani duhet të flasim ne.
Të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat, me çdo shqiptar që nuk i frikësohet dialogut, dëshiron debatin dhe që nuk e ka harruar ende atë që duan të na bëjnë të harrojmë: se baza e bashkëjetesës është liria për të folur lirshëm dhe e drejta për t’u dëgjuar”, u shpreh Rama.
Rama iu përgjigj gjithashtu kritikave se Partia Socialiste nuk i ka dëgjuar protestuesit, duke përmendur protestën e flamingove dhe instrumentet që, sipas tij, janë krijuar si rezultat i dëgjimit të qytetarëve.
“Për dialogun flitet edhe nga grykët e errëta që përsërisin se nuk u dëgjuan flamingot dhe është vonë tani për dialog. Së pari, flamingot vetëm ne i kemi dëgjuar si fillim dhe sot kemi fakte për këtë. Sot ne kemi disa instrumente që nuk i kishim më parë dhe i krijuam sepse dëgjuam ata. Duke nisur që nga instrumenti i ndjekjes së hallit në ‘Pasqyra Albania’”, deklaroi Rama.
Më tej, kreu i qeverisë u ndal edhe te mandati i marrë nga socialistët, duke e cilësuar atë jo thjesht si një mandat të zakonshëm katërvjeçar, por si një mision që kërkon përgjegjësi më të madhe ndaj qytetarëve.
“Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës, por është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe nuk zhbëhet dot nga askush. Por, nga ana tjetër, meqë është një mision, nuk duhet t’i dëgjojmë njerëzit vetëm një herë në katër vite apo të shmangim dhënien e shpjegimeve. Përkundrazi, duhet të jemi pranë njerëzve më shumë se asnjëherë më parë. Sa më i fortë mandati, aq më e lartë duhet të jetë nevoja për dëgjim, shpjegim dhe dialog me qytetarët”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




