Zbardhen kushtet e Moskës për përfundimin e luftës në Ukrainë. Rusia rikthen kërkesën për tërheqjen e NATO-s nga Europa Lindore

Europë | 21 minuta më parë

Rusia ka rikthyer në tryezën e negociatave me Shtetet e Bashkuara një nga kërkesat e saj më të forta para pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, duke kërkuar që NATO të tërheqë forcat e saj në pozicionet që kishte përpara zgjerimit të aleancës drejt lindjes.

Sipas një dokumenti të siguruar nga The New York Times, zyrtarët rusë kanë paraqitur gjatë bisedimeve me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump kërkesa që në disa raste janë pothuajse identike me ato të dhjetorit 2021, pak muaj përpara nisjes së luftës në Ukrainë.

Dokumenti, autenticiteti i të cilit është konfirmuar nga persona të njohur me negociatat, tregon se presidenti rus Vladimir Putin ka ndryshuar shumë pak nga objektivat e tij kryesore, pavarësisht më shumë se 20 muajve përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Një nga kërkesat kryesore të Moskës është tërheqja e trupave të NATO-s nga krahu lindor i aleancës, përfshirë Poloninë dhe vendet baltike. Kjo e vendos çështjen e sigurisë europiane në qendër të negociatave për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.

Sipas raportimit, Moska vazhdon të insistojë se përfundimi i luftës kërkon adresimin e asaj që Kremlini i quan “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, ku përfshihen kundërshtimet e Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s dhe orientimit perëndimor të Ukrainës.

Artikulli thekson gjithashtu se ofertat ekonomike të propozuara nga të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff nuk kanë sjellë lëshime të dukshme nga pala ruse. Kritikët e kësaj qasjeje argumentojnë se ekziston rreziku që Moska të forcojë përpjekjet e saj për të rikrijuar një sferë ndikimi të ngjashme me atë të periudhës sovjetike në Europë dhe Azinë Qendrore.

Negociatat mes palëve po zhvillohen në një kohë kur lufta në Ukrainë mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare dhe kur çdo marrëveshje e mundshme pritet të ketë pasoja të gjera për arkitekturën e sigurisë në Europë.

Dokumenti, i datës 10 nëntor, përmban një sërë kushtesh që Rusia kërkon të përmbushen përpara se të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas raportimit, kërkesat nuk kufizohen vetëm te konflikti mes Moskës dhe Kievit, por synojnë edhe riformatimin e marrëveshjeve të sigurisë në të gjithë Evropën.

Një prej kërkesave kryesore lidhet me tërheqjen e mbrojtjes bërthamore britanike dhe franceze nga vendet e tjera evropiane. Në këtë mënyrë, anëtarët evropianë të NATO-s do të humbnin një prej garancive të tyre të rëndësishme të sigurisë përballë një agresioni të mundshëm rus.

Por kërkesat e Kremlinit shkojnë edhe më tej. Gjithashtu, Moska kërkon ndërprerjen e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, përfshirë furnizimin me armë dhe pajisje ushtarake, si dhe heqjen dorë të Kievit nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO.

Sipas dokumentit, Rusia mund të pranojë anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, me kusht që vendi të qëndrojë jashtë marrëveshjeve të përbashkëta të mbrojtjes.

Këto kërkesa rikthejnë në vëmendje kushtet që Moska kishte paraqitur në dhjetor të vitit 2021, vetëm disa muaj përpara nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, në shkurt 2022.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme