Huang kërkon rikthimin në krye të Nvidias/Ish-drejtuesi kërkon falje, por bordi nuk duket i gatshëm ta rikthejë

Botë | 12 minuta më parë

Jensen Huang ka thyer heshtjen për herë të parë pas largimit nga drejtimi i Nvidia-s, duke deklaruar se është i gatshëm të rikthehet në krye të kompanisë nëse bordi e sheh të arsyeshëm. Në një prononcim për “Wall Street Journal”, ai pranoi se ka marrë kërkesa të shumta nga punonjës, investitorë dhe partnerë për të marrë sërish drejtimin.

Huang u shpreh se do ta konsideronte nder një rikthim, nëse bordi drejtues do të vlerësonte se kjo do të ishte në interesin më të mirë të kompanisë, aksionerëve dhe punonjësve. Kjo është deklarata e tij e parë publike që prej dorëheqjes të enjten e kaluar, pas publikimit të raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore, mes tyre edhe një lidhje të dyshuar me një agjente kineze dhe një punonjëse të kompanisë.

Zbulimet e publikuara nga disa media ndërkombëtare kanë vënë në lëvizje bordin drejtues të Nvidia-s, i cili ka njoftuar krijimin e një komiteti të posaçëm për mbikëqyrjen e sigurisë kombëtare dhe kontrollit të eksporteve. Ndërkohë, mijëra punonjës, investitorë të rëndësishëm dhe figura të njohura të teknologjisë, mes tyre Elon Musk, kanë shprehur qëndrimet e tyre për të ardhmen e Huang.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar situatën, duke shtuar vëmendjen ndaj zhvillimeve në gjigantin teknologjik. Megjithatë, sipas burimeve të “Ëall Street Journal”, bordi i Nvidia-s nuk duket i gatshëm të shqyrtojë rikthimin e tij në krye të kompanisë. Huang ka kërkuar sërish falje për veprimet e tij, duke i cilësuar ato si gabime dhe duke pranuar se nuk ka përmbushur standardet që kërkohen nga drejtuesit e kompanisë. Ai tha se ka krijuar probleme për bordin dhe se mban i vetëm përgjegjësinë për veprimet e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme