Trupat salvadoriane godasin nga ajri krerët e krimit në Haiti, shkatërrohet vila e kreut të bandës “Taliban”

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, konfirmoi të mërkurën se trupat ushtarake salvadoriane kanë shkatërruar nga ajri rezidencën luksoze të një prej udhëheqësve më të fuqishëm të bandave kriminale në Haiti, i njohur me nofkën “Jeff”. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse kreu i bandës ndodhej brenda banesës në momentin e sulmit apo nëse ka mbetur i vrarë.
Përmes një videoje të publikuar në platformën X, Bukele ndau pamje të vjetra të kreut të bandës duke pozuar para vilës së tij, të pasuara nga momenti kur helikopterët ushtarakë salvadorianë afrohen dhe hapin zjarr, duke e kthyer ndërtesën në gërmadha mes reve të dendura të tymit.
“Dhurata ime për popullin haitian në përvjetorin e Betejës së Vertières”, shkroi Bukele, duke iu referuar betejës historike të vitit 1803 që i siguroi Haitit pavarësinë nga Franca.
Nuk është bërë ende e ditur nëse policia apo ushtria haitiane kanë marrë pjesë në këtë operacion, ndërsa misioni ndërkombëtar i mbështetur nga OKB-ja deklaroi se nuk ishte i përfshirë. Pak orë pas njoftimit, mijëra banorë të kryeqytetit Port-au-Prince dolën në rrugë për të dytën ditë radhazi për të mbështetur ndërhyrjen e El Salvadorit.
“Jeff është kriminel dhe shpresoj që të ketë vdekur. Ne kërkuam ndihmë; Bukele na u përgjigj”, u shpreh Mario Jean-Pierre, një shitës 45-vjeçar në kryeqytet.
Rezidenca e dukshme nga sateliti dhe fuqia e bandës
Udhëheqësi i shënjestruar, emri i vërtetë i të cilit është Jeff Larose — i njohur edhe si Jeff Canaan apo Taliban — drejton të ashtuquajturën bandë Taliban, e përbërë nga disa qindra anëtarë që kontrollojnë zonën e Kanaanit në veri të Port-au-Prince.
Sipas Diego Da Rin, ekspert për Haitin pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave, kjo është “një nga bandat më të organizuara, me kontrollin më të rreptë territorial”. Ai vuri në dukje se rezidenca, e ndërtuar në mesin e vitit 2024 dhe e pajisur me një pishinë të zbukuruar me logon e kreut të bandës, ishte e vështirë për t’u sulmuar nga toka, por lehtësisht e identifikueshme përmes satelitit.
“Ishte një akt shumë sfidues nga ana e tij. Në një farë mënyre, ata ndiheshin të paprekshëm në territorin e tyre”, shpjegoi Da Rin.
Rreziku i hakmarrjes dhe sfida e kontrollit afatgjatë
Përdorimi i helikopterëve dhe dronëve sulmues nga forcat salvadoriane — mjete që u mungojnë strukturave të sigurisë të Haitit — ka ndryshuar balancën në terren, por analistët paralajmërojnë për pasoja anësore.
Sandra Pellegrini, analiste e lartë pranë organizatës Armed Conflict Location and Event Data, theksoi se bandat mund të hakmerren ndaj popullsisë vendase. “Nuk është për t’u habitur që bandat do të përpiqeshin të minonin entuziazmin për mbërritjen e forcave të reja duke synuar civilët që kanë shprehur mbështetje për operacionet e sigurisë”, u shpreh ajo, duke shtuar se sfida kryesore mbetet ruajtja e kontrollit afatgjatë mbi territoret e rimarra.
Goditja e së mërkurës vjen pas një sulmi të ngjashëm të trupave salvadoriane më 8 nëntor ndaj banesës së Wilson Joseph (i njohur si Lanmò San Jou), kreut të bandës aleate 400 Mawozo, i cili i mbijetoi operacionit.
Së bashku, ata kontrollojnë akset kryesore rrugore në veri dhe lindje të Port-au-Prince, duke vendosur taksa të paligjshme mbi transportin. Muajin e kaluar, El Salvadori dërgoi rreth 2,500 ushtarë në Haiti, pas një prite të armatosur më 18 tetor ku katër ushtarë salvadorianë rezultojnë ende të zhdukur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




