UEFA Development U15/ Shqipëria e nis me fitore, goli i Qirjazit vendos ndaj Irlandës së Veriut

Shqipëria U-15 e ka nisur me këmbën e mbarë turneun “UEFA Development U-15”, teksa mundi 1-0 Irlandën e Veriut në sfidën e luajtur në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë iu falën një goli të shënuar në pjesën e dytë nga Gerald Qirjazi.
Trajneri Bledar Borova e nisi ndeshjen me këtë formacion: Genis Mlloja, Gabriel Haka, Alessio Paloka, Ergi Syziu, Uvejs Kadriu, Rogers Meçja, Rouen Dani, Patrik Shurdhaqi, Deon Fehimi, Savio Disha dhe Rei Muça. Ndërkohë, gjatë ndeshjes u aktivizuan Ersan Senko, Damian Qatipi, Brian Hykollari, Sergen Jakupi, Enio Shtuka, Gerald Qirjazi dhe Loen Licka.
Pjesa e parë ishte mjaft e luftuar dhe me shumë raste shënimi. Shqipëria krijoi më shumë volum loje, goditi edhe shtyllën, ndërsa një gol i kuqezinjve u anulua për pozicion jashtë loje. Miqtë e patën të vështirë të gjenin hapësira, teksa 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura.
Gjithçka u vendos nga një gol spektakolar në minutën e 70-të. Gerald Qirjazi provoi me një goditje nga pranë mesit të fushës, duke shfrytëzuar edhe daljen jo të mirë të portierit të Irlandës së Veriut dhe duke shënuar golin që i dha Shqipërisë tri pikët e para në këtë turne.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




