Futbollisti pezullohet me 8 vite pasi goditi gjyqtarin me gur

Futboll Bota | 18 minuta më parë

Jhon Perlaza, një lojtar i Club Ciudad de Yantzaza, është pezulluar për tetë vjet pasi goditi me gur gjyqtarin gjatë një ndeshjeje të divizionit të tretë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale. Incidenti ndodhi tetorin e kaluar, gjatë ndeshjes midis Club Ciudad de Yantzaza dhe Club Rio Aguarico FC.

Në minutën e 96-të të ndeshjes, Perlaza, i cili ishte në stolin e ekipit të tij, hodhi një gur drejt ndihmës-arbitrit Lenin Giovanni Ojeda Nunez, duke e goditur drejtpërdrejt në fytyrë.

Goditja në fytyrën e gjyqtarit ishte jashtëzakonisht e dhunshme, duke bërë që ai të rrëzohej menjëherë në tokë, duke e kapur fort fytyrën me duar, përpara se të merrte ndihmën e parë. Ndeshja u pezullua. Pamjet e incidentit, të shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë qartë momentin e turpshëm të hedhjes dhe pasojat e sulmit.

Federata Ekuadoriane e Futbollit (FEF) dha detaje të mëtejshme: “Ndihmës gjyqtari pësoi dëmtime serioze që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale dhe një periudhë rikuperimi 60-ditore. Komiteti disiplinor e gjeti lojtarin përgjegjës për sulm fizik ndaj një zyrtari të ndeshjes dhe e pezulloi atë nga çdo aktivitet futbollistik për tetë vjet, deri më 19 tetor 2034”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme